Thaçi u jep “zemër” prodhuesve të Sharrit


Sharr - Hashim Thaçi, anëtarë i Ekipit Negociator dhe kryetar i partisë më të madhe opozitare në vend (PDK), i shoqëruar edhe nga Xhavit Haliti, Enver Hoxhaj dhe bashkëpunëtorë të tjerë, të mërkurën vizitoi komunën e Sharrit, ku kryesisht u përqendrua në ndërmarrjet private të kësaj komune të vogël. Stacioni i parë i tij ishte Qumështorja “Sharri” në fshatin Kuk të Opojës, ku u gostit me një fli tradicionale dhe jogurt, të prodhuar në këtë mini-fabrikë “Është ky një biznes i mirë dhe i qëlluar për këtë trevë, edhe pse e di që keni mjaftë vështirësi. Rryma dhe konkurrenca joreale e tregut ju bën të pasigurt në veprimtarinë tuaj, por duroni edhe pak sepse bashkë me statusin e Kosovës, edhe statusi juaj do të jetë më i mirë”, u tha punëtorëve dhe pronarëve të kësaj qumështoreje Thaçi, duke shprehur siguri se ky status është shumë afër. Drejtori i qumështores “Sharri”, Alemi Hajredini, pasi i ka vërtetuar fjalët e mysafirit të tij, tha se vizita e njërit nga anëtarët e Ekipit Negociator është tejet inkurajuese për prodhuesit “Edhe pse jemi të vetëdijshëm se aktualisht ne po diskriminohemi dhe po veprojmë në një pasiguri totale, kemi shumë ymytë që e ardhmja jonë do të jetë më e mirë”, tha Hajredini.
Kreu i PDK-së ka vazhduar udhëtimin e tij në Bellobrad, ku ka vizituar Kooperativën Bujqësore “Sharri”, e cila njihet për djathë cilësor në këto anë. Nga drejtori, Hafiz Rifaj ka mësuar se në rrethanat aktuale, është vështirë të ruash edhe lopë “Në këto rrethana, është rrezik i madh të merresh me veprimtari prodhuese. Ekzistenca jonë edhe më shumë do të rrezikohet, kur tokat bujqësore, të cilat tashmë i ka përvetësuar kooperativa e dikurshme ‘Sharrprodhimi’, do të privatizohen”, u ankua Rifaj.
Mysafiri i lartë i PDK-së, ka qenë shumë i interesuar të mësoj çdo detaj dhe dëshirë të prodhuesve të Sharrit. Ai u ka premtuar atyre më shumë përkrahje, nëse do të arrij të marr timonin e këtij vendi “Do ta keni përkrahjen time maksimale, po qe se do të kem forcë në pushtet”. Thaçi në vazhdim ka vizituar edhe Industrinë e Mishit “Meka” në fshatin Plavë, e cila njihet ndër më të suksesshmet edhe në vend. Ai nga drejtori Burim Piraj, është njohur me sukseset dhe vështirësitë për ta përballuar gjendjen aktuale “Jam i vetëdijshëm se mungesa e energjisë elektrike dhe infrastruktura rrugore ju mundon shumë, por mbahuni edhe pak se do ja dalim mbanë të gjithë”, u shpreh Thaçi. Ndërkohë edhe kreu i kësaj industrie, Burim Piraj, u shpreh se vizitat si kjo u japin më shumë kurajë për t’i përballuar vështirësive “Besoni se jemi demoralizuar krejt... me orë të tëra na mungon rryma, ndërkohë që frigoriferët dhe makinat tona nuk mund t’i lëviz asnjë gjenerator. Por, inshallah stabilizohet kjo trevë se maruam”, tha Piraj. Thaçi më pas ka vizituar edhe një industri të masave plastike në Sharr dhe ka vazhduar rrugën për në fshatin Brod të Gorës, ku kohë më parë ndërmarrja “Kuk-Komerc” ka përuruar një objekt hotelier, duke shpresuar se ky fshat do të bëhet vend turistik. /b. beqaj

Pas më shumë se dy dekadash, Daci vizitoi Sharrin


Sharr - Kanë kaluar disa dekada, që kur akademiku Nexhat Daci, për herë të fundit kishte qëndruar në Sharr. Ai në takimin që pati të mërkurën me qytetarët e Sharrit, në cilësinë e kreut të Lidhjes Demokratike të Dardanisë (LDD), u shpreh se kjo qytezë ka ndryshuar shumë “Që kur isha këtu në vitet e shtatëdhjeta, po shoh se qyteza juaj paska ndryshuar shumë. Kam ardhur këtu të njihem më përsëafërmi me ju dhe të ju shpalos vizionin e partisë që drejtoj”, u tha qytetarëve të tubuar në sallën e Shtëpisë së Kulturës në Sharr, akademik Nexhat Daci, pasi ka bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve në fshatin Buçe dhe në Sharr dhe pasi ka vizituar Brigadën 324 të TMK-së “Sali Saramati” në fshatin Zym të Opojës.
Për ta pritur kreun e LDD-së, kishin dalë turmë e madhe e simpatizantëve nga të gjitha fshatrat e Opojës. Ata patën rast që t’i parashtronin pyetje Dacit, i cili shpeshherë zuri në gojë ndryshueshmërinë që ka partia e tij me “mëmën” e saj, LDK-në “Asgjë nuk kemi të përbashkët me drejtuesit aktual të LDK-së, të cilët menjëherë pas vdekjes së presidentit Rugova, anashkaluan rrugën dhe vizionin e tij. LDD do ta vazhdojë rrugën e të ndjerit Rugova, sepse ai ishte kreatori i krijimit të një identiteti të ri shtetëror”.
Daci më tej potencoi se programi i partisë së tij nuk do të jetë “Fontanë Dëshirash” por një legjislacion që mund të arrihet dhe që do të ndryshoj për secilën komunë veç e veç “Programi jonë do të jetë specifik për secilën komunë, sepse secili rajon ka veçoritë dhe specifikat e veta në zhvillimin ekonomik. Është lehtë të përpilosh një program unik për tërë vendin dhe pastaj ai të mbetët vetëm një listë e ëndrrave dhe dëshirave”, tha Daci, duke e publikuar për herë të parë se kjo parti ka themeluar një trupë, prej më shumë se dyzetë ekspertësh, të cilët do të merren me forcimin e politikave operacionale “Në këtë trupë janë të përfshirë ekspertë të njohur, nga të cilët 17 nuk janë fare anëtarë të partisë sonë, por që janë ekspertë të mëdhenj”.

Kosova identitet në vete

Në pyetjen e “Lajmit”, nëse LDD angazhohet për një identitet të ri kombëtarë, i cili Kosovën do ta dallonte nga Shqipëria, Daci nuk deshi të përgjigjej, por tha se kjo çështje iu takon ekspertëve “LDD nuk ka fuqi të vendosë për këtë çështje. Unë nuk dua të spekuloj se si do të përfundojë një debat i këtillë, të cilin e përcjell me vëmendje, por angazhohemi që Kosova të njihet si identitet në vete, kudo në botë”. Daci nuk i është përgjigjur drejtpërsëdrejti as pyetjes nga kreu i Ballit Kombëtarë në Sharr, Xhevdet Tahiri, nëse e mbështet bashkimin kombëtar dhe flamurin aktual shqiptar “Ne angazhohemi për një Kosovë liberale dhe të hapur me të gjithë fqinjët, shpresojmë edhe me Serbinë, por me kufij të hekurt për të gjithë ata që merren me punë të pista. Flamuri dhe himni i propozuar nga Rugova, duhet të konkurrojnë për t’u bërë elemente që e dallojnë Kosovën nga shtetet tjera”, tha Daci

Në Ekipin e Unitetit – budallenjtë!

Disa herë Daci e ka zënë në gojë Ekipin e Unitetit, për të cilin ka thënë se nuk ka nevojë tashmë të ekzistojë dhe se ky Ekip ka bërë më shumë budallakina se sa çdo gjeneratë tjetër e kombit tonë “Në fillim, Ekipi i Unitetit, i cili u themelua nga presidenti Rugova, kishte legjitimitet dhe ishte i nevojshëm. Tani ky ekip nuk ka nevojë të ekzistoj, sepse çështja finale e procesit të pavarësisë, tashmë është në tavolinat e fuqive më të mëdha të dynjasë. Budallakinat që ka bërë ky ekip, mund të konkurrojnë edhe për Librin e Ginisit. Ata tashmë ekzistojnë në skenë vetëm për interesa personale dhe për asgjë më shumë”. /b. beqaj

Edhe një seancë gjyqësore pa sukses, për ujin e Bellobradit


Bellobrad - Të mërkurën është mbajtur seanca e katërt gjyqësore, në lidhje me një kontest midis mëhallëve në Bellobrad, për shfrytëzimin e ujit të pijshëm, por edhe kjo seancë ka përfunduar pa ndonjë vendim. Ajo është shtyrë për një ditë tjetër, në mënyrë që të gjendet ndonjë zgjidhje, pasi që eksperti i cili ka qenë në teren, të jap vlerësimin e tij, e që në këtë seancë ka munguar. “Duhet ta sjellim ekspertin që të na jap sqarime për gjendjen faktike në terren. Nuk e di pse ai sot mungon”, tha gjykatësi i lëndës, Fazlian Mushka, i cili kërkoi që të shtyhet seanca, përderisa Agron Daka, ekspert për çështjet e ujit, të mos i japë sqarimet për gjendjen faktike që ka parë në teren.
Më shumë se tri dekada, pasi që e ka zgjidhur problemin e ujit të pijes, Bellobradi është zhytur në këtë problem, edhe pse ka ujë të mjaftueshëm për secilën familje. Një investim që ka bërë Kuvendi Komunal dhe CIMIC-u gjerman, për ta meremetuar rezervuarin e vjetër të Bellobradit, në Opojë të Sharrit, nga furnizohen aktualisht rreth 40 familje që nuk kanë ndërtuar rezervuar të rinj, është bërë mollë sherri për banorët. Disa familje, ndonëse kanë ndërtuar rezervuar të rinj për nevojat e tyre, i kanë paditur familjet që furnizohen nga rezervuari i vjetër, se me ndërrimin e rrjetit, i kanë shkëputur ata.
Kryetari i KK të Sharrit, Halim Shemsidini, në një prononcim të mëhershëm për “Lajm” ka thënë se i vjen keq që bellobradasit janë zhytur në tensione, por ai është krenar që ka mundur të ndaj mjete financiare për meremetimin e këtij rezervuari “Unë i falënderoj bellobradasit që gjithmonë kanë qenë të gatshëm të grumbullojnë mjete, për ta përmirësuar infrastrukturën. Ne do të lëshojmë mjete për secilin fshat, i cili është i interesuar në këtë drejtim dhe që arrin të grumbulloj sadopak mjete nga buxhetet familjare”, tha Shemsidini.Në padinë e këtyre familjeve thuhet se ata kanë mbetur pa ujë, pas ndërrimit të rrjetit, por familjet të cilat e kanë meremetuar rrjetin thonë se kjo është “lajkë” për ta fituar simpatinë e gjykatës “Absolutisht nuk është e vërtetë... Asnjë familje që nuk ka rezervuar, nuk ka mbetur pa ujë. Ne kemi vepruar në bazë të një marrëveshjeje që është arritur në fshat, e cila ua ka mundësuar çdokujt ndërtimin e rezervuarit të ri, pavarësisht se ku e mbledh ujin dhe pavarësisht se ku kalojnë gypat. Kusht i vetëm për ta ka qenë që të shkëputen nga rrjeti ekzistues”, tha Rexhep Rifaj, njëri nga të paditurit.Aktualisht, në Bellobrad janë ndërtuar 14 rezervuar uji, por vetëm furnizuesit e nga njëri prej këtyre rezervuarë, kërkojnë që të kenë qasje edhe në rezervuarin e vjetër. Familjet tjera janë deklaruar edhe me shkrim se rezervuari i vjetër nuk iu intereson. /b. beqaj

Të shtunën në Sharr u zhvilluan garat e pehlivanëve dhe revy e qenve


Sharr - Ndonëse shiu që kaploi Sharrin në paraditen e së shtunës dhe incidenti në Akademinë solemne, një ditë më parë, ndikuan që gara e pehlivanëve këtë vit të mos jetë madhështore, ato megjithatë u zhvilluan. Njëkohësisht, në arenë munguan edhe shumë pehlivanë, ndërkohë që nga Turqia nuk kishte ardhur asnjë prej tyre. Të gjitha këto i pasuan pengesat paraprake, e që si rezultat doli se kjo garë ishte më e zbehtë se vitet e kaluara.
Për t’i përcjellë garat nga afër, kishte ardhur edhe ministrja Melihate Tërmkolli dhe mysafir të tjerë nga institucionet e vendit, por jo edhe ministri i Kulturës dhe Sportit, Astrit Haraqia, i cili e mbështet këtë aktivitet.
Pa ndonjë shfaqje kulturore, si vitet e kaluara, të pranishmit i ka përshëndetur fillimisht drejtori komunal për Kulturë, Rini e Sport, Muharrem Qafleshi dhe kryetari, Halim Shemsidini e nënkryetari nga komuniteti gorano-boshnjak, Sabedin Çufta.
Menjëherë ka filluar “lufta” mes pehlivanëve të Dorës së Tretë, e cila simbolizon trashëgiminë e këtij sporti popullor në këto troje.
Në Dorën e Dytë, pas një lufte të gjatë, vendin e parë dhe të dytë e kanë ndarë Hamid Bakiu nga Shkupi dhe Sahit Prizreni nga Durrësi, të cilët garën e kanë përfunduar pa e mposhtur njëri-tjetrin. Në vendin e tretë është radhitur Ramazan Bakiu nga Shkupi.
Në Dorën e Parë (finale), pas një gare interesante midis Elis Gurit nga Shkodra dhe Isa Berishës nga Prizreni, shkodrani korr fitore, pasi djaloshi prizrenas ia rrah shpinën, në shenjë të dorëzimit të garës.
Në përfundim të garës, Elis Guri tha se fitorja në garat e Sharrit është kulminacioni në karrierën e tij “Ky është suksesi më i madh në karrierën time, sepse gara në këtë komunë është më e madhja në Kosovë. Duhet të mburreni edhe ju me këtë aktivitet”, tha Guri.
Për ta referuar këtë garë janë angazhuar profesionistë të kësaj fushe nga “Shoqata e trajnerëve të Mundjes e Kosovës”, me në krye Ridvan Kalanderin. Kjo ka ndikuar që gara e pehlivanëve të jetë i vetmi aktivitet në Ditën e Çlirimit të Sharrit, që kaloi në atmosferë sportive dhe pa asnjë aksident.

Pakënaqësi edhe në klasifikimin e qenve!

Ndonëse numri i qenve të ekspozuar në revynë tradicionale, nuk kaloi më shumë se dhjetë, ndër pronarët e qenve pati moskënaqësi. Pasi u ndanë çmimet, njëri nga pronarët protestoi publikisht se ia kanë zhvlerësuar qenin e tij, të cilit nuk i dhanë asnjë çmim.
Tasim Sherifi, veterinar i njohur goran, i cili ishte anëtar i komisionit për vlerësimin e qenve, tha se vërtetë ndarja e çmimeve nuk ka qene korrekte. Sipas tij, edhe në këtë garë ka ndikuar intervenimi “Nuk them se protestuesi ka të drejtë, por klasifikimi nuk është bërë si duhet. Janë disa kritere strikte që e karakterizojnë qenin e Sharrit, e ato nuk janë përfillur”, tha Sherifi.
Ndryshe, vendin e parë e zuri qeni me emrin “Korabi” i pronarit Rexhep Gërdellaj nga fshati Rrenc. Vendin e dytë qeni me emrin “Murgja” nga Plava, ndërsa vendin e tretë e zuri qeni me emrin “Beliq” nga fshati Lybevisht i Gorës.

Ministrja Tërmkolli u kënaq në Sharr

Garën e sivjetme të Pehlivanëve, ministrja e Shërbimeve Publike, Melihate Tërmkolli, e ka karakterizuar mjaftë të rëndësishme. Sipas saj, ajo është ndier këndshëm në Sharr, të cilin e konsideroi mjaftë mikpritës “Ishte një organizim i mirë dhe ndjeva kënaqësi që prezantova këtu. Kjo traditë duhet të ruhet në këtë komunë, sepse në vetë ngërthen pasuri kulturore dhe sportive”, tha Tërmkolli, e cila deri në fund e ka përcjellë garën. /b. beqaj

Në Bellobrad përfundoi gara në vrapimin e kuajve


Bellobrad - Behar Salihu nga fshati Bresanë e Opojës, nuk e kishte menduar para gjashtë muajsh, kur e blen kalin e tij me emrin “Daniel” për 3 mijë e 500 euro në Novi Pazar të Sanxhakut, se pikërisht në ditën e çlirimit të komunës së Sharrit do të mburret me të. Ai me emocione të thella tha, pasi ka përfunduar gara, se ky trofe ia ka shpaguar shumën e dhënë për këtë kalë, ndonëse nga Kuvendi Komunal ka fituar vetëm 300 euro për këtë titull “Vërtetë është shumë e vogël kjo për vendin e parë, por e rëndësishme është që pushteti lokal i mori parasysh kërkesat tona që kjo garë të rikthehet në komunën tonë”, tha Salihu, i cili nga bashkëfshatarët e vet u prit në Bresanë me curle dhe lodra, sikur hero.
Në praninë e shumë qytetarëve, në qendër të Opojës së Sharrit, në Bellobrad, pas afro dy dekadash, të premten u zhvillua gara në vrapimin e kuajve, për nderë të ditës së çlirimit të komunës së Sharrit. Staza prej dy kilometrash, nga Bellobradi, në drejtim të fshatit Buzez, ishte mjaftë e përshtatshme për zhvillimin e këtyre garave, ndërkohë që nga afër i kanë përcjellë ato edhe krerët komunalë, kryetari Halim Shemsidini dhe kryeshefi i ekzekutivit, Bexhet Xheladini.
Për të marrë pjesë në këto gara, kanë ardhur kalorës nga shumë troje shqiptare, por vendi i parë, megjithatë, mbeti në Opojë, ndërkohë që i dyti në Gorë. Kali me emrin “Daniel” nga fshati Bresanë, i pronarit Behar Salihu, u tregua më i shpejtë dhe ka arritur cakun për një kohë tejet të shkurtër. Në vendin e dytë u radhit Restelica e Gorës, ndërkohë që në të tretin, Lipjani.
Gara në vrapimin e kuajve, në komunën e Sharrit organizohej për nderë të festës së punëtorëve, deri në fund të viteve të tetëdhjeta, kur shqiptarët u sprovuan nga pushteti serb. Për nderë të Ditës së Çlirimit të Sharrit, institucionet komunale e kanë rikthyer këtë garë në komunë, e cila ka zgjuar emocione tek shumë qytetarë opojanë dhe më gjerë. Kryeshefi i ekzekutivit, Bexhet Xheladini, tha se është shumë i lumtur që e ka rikthyer këtë garë tradicionale, ndërkohë që ka falënderuar qytetarët që kanë krijuar atmosferë festive dhe sportive “Populli jonë vërtetë meriton aktivitete të tilla, sepse din t’i organizojë dhe t’i respektoj. Shpresojmë që vitin e ardhshëm të kemi më shumë garues, për t’i dhënë kësaj gare më shumë popullaritet”, tha Xheladini. /b. beqaj

Veteranët e UÇK-së, alergjik ndaj “himnit të Rugovës”!


Sharr - Në sallën e Qendrës së Kulturës në Sharr, e cila ishte gjysmë e zbrazur, të premten është mbajtur akademi solemne, për ta shënuar Ditën e Çlirimit të komunës.
Që në fillim plasi sherri, kur pas intonimit të himnit kombëtar, filloi “himni i Kosovës”, i propozuar nga kryetari i ndjerë, Ibrahim Rugova. Sekretari i OVL të UÇK-së në Sharr, Lulzim Rifaj, i ka shkyçur kabllot e rrymës, për ta ndërprerë intonimin, duke u shprehur se në këtë ditë nuk bën të luhet me gjëra madhore “Mos bëni hajgare me gjërat që janë mbarëkombëtare, vetëm sa për t’i plotësuar dëshirat e individëve”, u tha krerëve komunalë Rifaj, duke e braktisur sallën. Pas tij sallën e ka lëshuar edhe kryetari i OVL-së, Shpetim Kamberi dhe veteranë të tjerë të UÇK-së.
Pas një heshtjeje dhe nervozizmi, fjalim rasti ka mbajtur kryetari i KK-së, Halim Shemsidini, i cili pa e zënë në gojë incidentin paraprak, lexoi fjalimin e përgatitur për këtë ceremoni “Gjaku i dëshmorëve lë të jetë arsye për bashkëjetesë dhe tolerancë, duke i respektuar institucionet e zgjedhura nga populli”, tha mes tjerash Shemsidini, duke i përmendur në vazhdim të arriturat e KK-së në përmirësimin e infrastrukturës.
Pas tij, fjalim ka mbajt edhe nënkryetari i KK-së nga radhët e minoritetit gorano-boshnjakë, Sabedin Çufta, i cili ka vërejtur se popullata e tij synim e ka Sharrin dhe Kosovën “Në sytë e qytetarëve vërejta se synimi i tyre, ndonëse i ka kapluar varfëria, është Dragashi dhe Kosova. Unë si nënkryetar, ju premtoj se do të punoj vetëm në këtë aspekt. Shpresoj se në përvjetorin e ardhshëm të çlirimit, do të jemi në një ambient më të favorshëm”, tha Çufta.
Në mungesë të kryetarit të OVL të UÇK-së, i cili, megjithatë, u ftua që ta merr fjalën, nga një fjalim të shkurtër mbajtën edhe përfaqësuesi i Brigadës 324 të TMK-së “Sali Saramati” dhe ai i familjeve të dëshmorëve. Këtyre të fundit, kryeshefi i Ekzekutivit të Sharrit, Bexhet Xheladini, ua ndau nga 100 euro, si dhuratë, ku nuk e ka ndarë as një oficer turk të KFOR-it, i cili ka humbur jetën gjatë pastrimit të minave në këtë komunë. /b. beqaj

Gara e pehlivanëve, amanet edhe nga presidenti i ndjerë Ibrahim Rugova


Sharr - Xhafer Bojaxhiu, nga fshati Plavë, në Opojë të Sharrit, ndonëse i ka kaluar të tetëdhjetat, ende duket vital dhe i mbushur me energji. Ai mezi pretë ditën e shtunë, kur në Sharr do të zhvillohet gara më e madhe në mundje, e që tradicionalisht njihet si “Gara e Pehlivanëve”, e trashëguar brez pas brezi për shumë dekada e shekuj. Ai nuk di shumë për trashëgiminë e këtij sporti në këto troje, por me nostalgji fletë për atë që ka përjetuar gjatë jetës së tij “Kur isha i ri, ndonëse punoja në mërgim për ta siguruar kafshatën e gojës për familjen time, këtë sport nuk e anashkaloja, sepse e kam merak. Në Beograd, përkundër punëve të rënda që bënim, të dielave mblidheshim në ‘Kalamejdan’ të rinj nga vise të ndryshme shqiptare të ish-Jugosllavisë, për t’i treguar shkathtësitë e garës së pehlivanëve. Kërshëri zgjonim tek çdo qytetarë që dilte për pushimet e fundjavës në këtë park historik të Beogradit. Edhe sot, këtë sport nuk e zëvendësoj me asnjë tjetër. Mezi presë ditën kur do të zhvillohen këto gara”, thotë plaku Xhafer Bojaxhiu.
Në Opojë, mundja, gjithnjë ka qenë sporti më i popullarizuar, ku ende mbahen në mend gjeneratat e para të kësaj gare, si Bajram Piraj, Hysni Bojaxhiu, Enver Musliu, Nasuf Veliu dhe shumë të tjerë, sikurse që mbahen në mend pehlivanët nga Shqipëria, Maqedonia dhe Turqia.
Këto gara, në komunën e Sharrit ngërthejnë ne vete një histori të pasur. Sa herë që janë zhvilluar ato, tek banorët e këtushëm, por edhe më gjerë kanë zgjuar kërshëri të jashtëzakonshme. Në këto gara, pehlivanë nga të gjitha trojet shqiptare, por edhe nga vende të tjera, si Turqia dhe Bullgaria, tregojnë shkathtësitë, forcën dhe shpirtin luftarak të një malësori.
Sipas historianëve, sporti i mundjes ka zanafillën sa edhe vetë njerëzimi. Në kohërat më të lashta, mundja ka shërbyer si stërvitja më e mirë për t’u përgatitur për frontet luftarake. Në komunën e Sharrit, sporti i mundjes, është trashëguar që nga sundimi otoman, nga edhe merr emrin “pehlivan”.
Gjatë gjithë kohës, sa zhvillohet gara e pehlivanëve, lodrat dhe curlet para dhe gjatë daljes së garuesve në arenë, zhvillojnë programin e tyre, enkas për këtë ceremoni.
Arena duhet të jetë një livadh, me barë të gjelbër dhe të butë, i cili bën amortizimin gjatë rrëzimit të pehlivanëve në tokë. Në arenë hyjnë edhe gjykatësit, furnizuesit me ujë dhe organizatori. Shikuesit mbesin jashtë arenës së rrethuar me litarë të thjeshtë. Në një kënd të rrethit, vendosen lodraxhinjtë dhe cyrlexhinjtë, të cilët me muzikën e tyre i japin ritëm garës duke krijuar atmosferë festive, e cila ndikon shumë edhe në disponimin e shikuesve.
Pehlivanët vishen me pantallona të shkurtër nga lëkura, të punuara me dorë, e që njihen me emrin “Kismete”. Ato peshojnë deri në 8 kg. Në bel, kismetet shtrëngohen me një lidhëse nga lekura që gjatë orvatjes nuk mund të zgjidhen kurrsesi. Nëse kundërshtari e nxjerr nga kismetet rivalin e tij, ai shpallet fitues.
Pehlivanët para se të fillojnë garën, e lyejnë njëri-tjetrin me vaj, jo vetëm trupin por edhe kismetet. Qëllimi i lyerjes është që gjithmonë kapja nga kundërshtari të rrëshqasë, njëherësh edhe që të mbrohet lëkura nga lëndimet që mund të shkaktohen nga bari.
Pasi t’i kenë veshur kismetet dhe të janë lyer me vaj, pehlivanët krenarë hyjnë në arën. Lodraxhinjtë më me forcë u bien lodrave (tupanëve) për t’u tërhequr vëmendjen shikuesve.
Pehlivanët më me nam, hyjnë në rreth, duke vrapuar dhe duke bërë akrobacione të ndryshme. Këto ushtrime i bëjnë për ta tërhequr vëmendjen e publikut dhe si përgatitje fizike.
Gjykatësit kryesisht rekrutohen nga pehlivanët e njohur, të cilët e kanë ndërprerë garën, qoftë nga lëndimet apo edhe nga mosha e vjetër. Gjykatësit, së bashku me organizatorin, kujdesën për propozicionet.
Në Kosovë janë të njohura katër kategori të pehlivanëve, e që të gjitha janë fjalë turke; Çardak (kategoria më e ulët), Orta (kategoria e mesme), Bashali (kategoria dytë) dhe Bash (kategoria e parë).
Në Sharr, gara e pehlivanëve organizohej për nderë të festave fetare dhe gazmendeve familjare. Pas luftës së dytë botërore, në këtë komunë gara e pehlivanëve bëhet tradicionale. Ajo organizohej më Një Maj, për ta shënuar festën ndërkombëtare të punëtorëve. Kjo traditë ishte aktuale, deri në vitet e nëntëdhjeta, kur shqiptarët u sprovuan nga pushteti serb.
Pas luftës së fundit në Kosovë, Kuvendi Komunal i Sharrit e rikthen këtë garë tradicionale, por në një datë tjetër. Për nderë të Ditës së Çlirimit të Sharrit, pehlivanë nga vende të ndryshme të Ballkanit, sërish ekspozojnë muskujt dhe shkathtësitë e tyre. Ky manifestim, i mbështetur edhe nga institucionet qendrore të vendit, në vitin 2004 u shpall tradicional nga presidenti i ndjerë, Ibrahim Rugova, i cili në një prononcim për “Lajmin” pat deklaruar se institucioneve lokale “ua lë amanet që kjo garë të vazhdoj traditën historike të kësaj komune”.
Të shtunën, për nderë të Ditës së Çlirimit të Sharrit, institucionet komunale kanë paralajmëruar garë të madhe të këtij sporti, ku është paraparë që këtë vit të jetë edhe më madhështore.
Një ditë më herët, sipas këtij paralajmërimi, ne Bellobrad do të zhvillohet gara në vrapimin e kuajve, e cila do të jetë edhe një sport i rikthyer tradicional i Një Majit, por që deri më tash nuk është zhvilluar. /b. beqaj

Ora e Ymer Prizrenit i shpëtoi dështimit !


Zgatar - Pas shumë ballafaqimeve rreth konsolidimit të kryesisë së Klubit Letrarë “Luigj Gurakuqi” nga Sharri, të dielën u shënua manifestimi “Ora Letrare e Ymer Prizrenit”.
Ndonëse ende ky klub është pa kryetar, aktivistët e tij arritën të tubohen në fshatin Zgatar të Opojës, ku dhe shënuan këtë datë tradicionale kulturore, në kuadër të aktiviteteve të klubit. Ky manifestim mblodhi qindra dashamirë të letërsisë dhe historisë kombëtare, si dhe letrarë nga troje të ndryshme shqiptare. /b. beqaj

Kremtimi i fundit në Zym të Sharrit i brigadës 324 "Sali Saramati"


Sharr - Për herë të fundit, të mërkurën u kremtua dita e Brigadës 324 "Sali Saramati", në Zym të Opojës së Sharrit. Sipas informacioneve që disponojmë, vitin e ardhshëm kjo kazermë nuk do të ekzistoj. Aty, me gjasë, do të vendosët policia, sikurse që ka ekzistuar edhe para luftës "Brigada 324 do të transferohet në Prizren, por nuk do të shuhet. Ndërkohë, kazerma do të mbes si objekt për destinime të tjera", tha komandanti i deritashëm i kësaj brigade, Ruzhdi Saramati. Ai ia ka dorëzuar detyrën kapitenit, Sejdi Krasniqi, i cili deri në gusht, sipas burimeve tona, do t'i bëj përgatitjet e nevojshme për transferim.
Në ceremoninë e shënimit të ditës së kazermës dhe rënies së dëshmorit Sali Saramati, emrin e të cilit e mban kjo brigadë, morën pjesë strukturat më të larta civile dhe ushtarake të kësaj komune.
Para se ta dorëzonte detyrën, komandanti Ruzhdi Saramati tha se i vjen mirë që ndodhet në trevën, e cila, sipas tij, ka bërë shumë për çlirimin e vendit "Bijtë tuaj kanë rënë, por ende nuk prehen të qetë, përderisa nuk realizohet ëndrra e tyre. Këtë jemi të obliguar ta bëjmë ne, e nëse nuk e bëjmë këtë, do të jemi të mallkuar nga gjaku i tyre", tha Saramati.
Edhe ushtruesi i detyrës së komandantit të Zonës së Dytë në Prizren, Enver Cikaqi, i falënderoi opojanët, për kontributin e dhënë për çlirimin e vendit "Opoja dhe Sharri në përgjithësi, duhet të krenohen, sepse kanë dhënë shumë kontribut në luftën çlirimtare dhe pas saj".
Kryetari i Sharrit, ndërkaq, Halim Shemsidini, tha se takimet e tilla, sa janë të dhimbshme, po aq janë edhe krenare "Kënaqësia më e madhe do të jetë, kur ju të jeni pjesëtarë të ushtrisë së ardhshme të Kosovës, ndërkohë që ne, si pushtet, të punojmë për zhvillimin ekonomik", u tha Halimi ushtarakëve.
Kremtimi i fundit i brigadës 324 në Zym të Sharrit, ka përfunduar me një program kulturo-artistik, të ekzekuatuar nga vetë pjesëtarët e TMK-së. /b. beqaj

Reshiti i zhgënjyer me PDK-në !


Sharr - Këshilltari i LPK-së në Asamblenë e Sharrit, Demir Reshiti, nuk është përkrahur të martën nga asnjë kolegë i tij në propozimin që në seancën e rregullt të diskutohet për zvarritjen e emërtimit të institucioneve të Sharrit me emrat e dëshmorëve. “Kam pritur përkrahje të paktën nga këshilltarët e PDK-së”, tha pas mbledhjes Reshiti, i zhgënjyer që propozimi i tij nuk kaloi. “Nuk është hera e parë që këtë çështje e kam ngritur në seancat e asamblesë, por kësaj radhe kisha një obligim plus, sepse një gjë të tillë e kanë kërkuar edhe shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, nëpërmjet një letre qarkore, të cilën ua kanë adresuar të gjitha subjekteve politike të përfaqësuar në asamble”, tha ai për “Lajm”.
Gazeta nuk mundi ta marrë prononcimin e përfaqësuesve të PDK-së në Sharr, ndërkohë që kryetari i PDK-së në Prizren, Zafir Berisha, ka shprehur habinë për këtë veprim të kolegëve të tij. “Është skandaloze që këshilltarët e PDK-së nuk e përkrahën propozimin për futjen në rend të ditës të çështjes së zvarritjes së emërtimit të institucioneve të Sharrit me emrat e dëshmorëve të kësaj ane. Ata me këtë veprim kanë bërë shkelje të programit të PDK-së, i cili dëshmorët dhe luftëtarët e lirisë i trajton si të shenjtë”, tha Berisha.
Në seancën e së martës pati përplasje ndërmjet pozitës dhe opozitës, lidhur me vazhdimin e kontratave të drejtorëve komunalë, të cilëve me shumicë votash iu zgjat mandati deri pas zgjedhjeve të ardhshme. /lajm

Klubi Letrar “Luigj Gurakuqi” në Sharr, ende i shkapërderdhur


Sharr - Manifestimi tradicional mbarëkombëtarë "Ora e madhe letrare e Ymer Prizrenit", i cili organizohej nga Klubi Letrar “Luigj Gurakuqi” në Sharr, këtë vit rrezikon të dështoj, për shkak se klubi ka ngelur pa udhëheqës, pas dorëheqjes së parevokueshme që ka dhënë Bedri Halimi, kryetar i fundit i klubit. Ai, përmes një komunikate, i ka njoftuar anëtarët e klubit se nuk është më në gjendje ta ushtroj këtë post, për shkak të angazhimit të tij në Prishtinë, ku edhe ka transferuar familjen “Kur më skadoi mandati, unë thirra mbledhjen zgjedhore të Klubit, por asnjëri nga të pranishmit nuk shprehi gatishmëri që ta marrë udhëheqjen. Bile disa anëtarë fare nuk morën pjesë në mbledhje. Me insistimin e disa anëtarëve të kryesisë, vazhdova edhe më tutje drejtimin e Klubit, por vetëm sa për ta organizuar manifestimin, kushtuar Ymer Prizrenit, vitin e kaluar në Zgatar. Për shkak të problemeve shëndetësore, jam transferuar me familje në Prishtinë dhe, në njëfarë mënyre, jam shkëputur fizikisht nga Sharri”, tha Halimi.
Pas dështimit të organizimit të “Flakës së Janarit”, era dështim i vjen edhe "Orës së Madhe Letrare të Ymer Prizrenit", e cila, sipas kalendarit kulturor të klubit, duhet të mbahet më 9 qershor. Demir Reshiti, njëri nga themeluesit e Klubit, shprehet të jetë i shqetësuar për dështimin e mundshëm këtë vit “Ia kemi dalë që në këtë manifestim të sjellim poetë nga e gjithë gjeografia shqiptare, që nga Vlora, Tirana, Tetova, Presheva e deri në Prishtinë dhe të gjitha komunat e Kosovës. Mirëpo, këtë vit mund të dështoj organizimi, nëse anëtarët e kryesisë së klubit nuk mblidhen urgjentisht, për të bërë diçka, në mënyrë që të mos dështoj ky manifestim i rëndësishëm në komunën tonë, i cili fatkeqësisht nuk ka as përkrahjen e udhëheqësve komunalë”, tha Reshiti
Ndërkohë që Nëntë Qershori po afrohet, nuk vërehen përgatitje, sikur vitet tjera në këtë kohë. Edhe në kalendarin e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (LSHK), e cila është bashkorganizatore e këtij manifestimi, figuron kjo datë, por nuk shihen as aty lëvizje për mbajtjen e tij. Burime nga kryesia e LSHK-së bëjnë me dije se ata presin nga "Luigj Gurakuqi" që ta ruaj vazhdimësinë e organizimit, përkundër vështirësive me të cilat po ballafaqohet ky klub i Sharrit “Ne do të japim kontributin tonë maksimal, me qëllim që manifestimi të zhvillohet me sukses”, tha ky burim.
Të shtunën janë bërë përpjekjet e fundit të klubit letrar “Luigj Gurakuqi”, në mënyrë që edhe këtë vit të mbahet manifestimi, por nuk janë qartësuar detajet. Disa nga anëtarët e klubit shprehën gatishmëri që, ndonëse jo si vitet e kaluara, manifestimi megjithatë të mbahet. Ata u morën vesh që brenda pakë ditësh të marrin përgjegjësitë, vetëm sa për ta mbrojtur nga dështimi këtë manifestim tradicional, të cilin e shpallën vetë si të tillë, para ca vitesh. /b. beqaj

Një 40 vjeçare nga Prizreni gjendet e mbytur në liqe


Vërmicë - Policia e rrethit të Hasit, në Kukës të Shqipërisë, konfirmoi të enjten se ka gjetur një kufomë të dekompozuar të një gruaje nga Prizreni, e cila, pasi ishte mbytur në lum, uji e ka bartur deri në liqe, afër Morinit të Shqipërisë.
Shefi i policisë së Hasit të Shqipërisë, Bujar Gjana, konfirmoi gjetjen e kufomës, e cila është nxjerrë nga uji dhe është dërguar në morgun e spitalit të Kukësit.
“Një bari, i cili ishte duke ruajtur bagëtinë, ka parë mbi ujë një kufomë dhe menjëherë e ka lajmëruar policinë, me ç’rast kufoma e dekompozuar është nxjerrë nga uji dhe menjëherë është dërguar në morgun e spitalit të Kukësit për obduksion”, tha Gjana.
Mjeku ligjor në Kukës, Nikolin Martini, ka konfirmuar vdekjen nga mbytja në ujë dhe ka mohuar faktin që ajo të ketë vdekur para se të binte në lum. Sipas tij, kufoma nuk kishte plagë të marra në trup.
Rastin e ka konfirmuar edhe policia në Prizreni, ku sipas tyre, gruaja e vdekur është nga Prizreni, është 40 vjeçare dhe quhet Myqereme Dibra. Viktima është identifikuar edhe nga familja e saj që jeton në Prizren, ku sipas tyre, ajo ishte e sëmurë mentale dhe ishte zhdukur pa gjurmë, që prej 23 majit të këtij viti. /b. beqaj