Në Bellobrad përfundoi gara në vrapimin e kuajve


Bellobrad - Behar Salihu nga fshati Bresanë e Opojës, nuk e kishte menduar para gjashtë muajsh, kur e blen kalin e tij me emrin “Daniel” për 3 mijë e 500 euro në Novi Pazar të Sanxhakut, se pikërisht në ditën e çlirimit të komunës së Sharrit do të mburret me të. Ai me emocione të thella tha, pasi ka përfunduar gara, se ky trofe ia ka shpaguar shumën e dhënë për këtë kalë, ndonëse nga Kuvendi Komunal ka fituar vetëm 300 euro për këtë titull “Vërtetë është shumë e vogël kjo për vendin e parë, por e rëndësishme është që pushteti lokal i mori parasysh kërkesat tona që kjo garë të rikthehet në komunën tonë”, tha Salihu, i cili nga bashkëfshatarët e vet u prit në Bresanë me curle dhe lodra, sikur hero.
Në praninë e shumë qytetarëve, në qendër të Opojës së Sharrit, në Bellobrad, pas afro dy dekadash, të premten u zhvillua gara në vrapimin e kuajve, për nderë të ditës së çlirimit të komunës së Sharrit. Staza prej dy kilometrash, nga Bellobradi, në drejtim të fshatit Buzez, ishte mjaftë e përshtatshme për zhvillimin e këtyre garave, ndërkohë që nga afër i kanë përcjellë ato edhe krerët komunalë, kryetari Halim Shemsidini dhe kryeshefi i ekzekutivit, Bexhet Xheladini.
Për të marrë pjesë në këto gara, kanë ardhur kalorës nga shumë troje shqiptare, por vendi i parë, megjithatë, mbeti në Opojë, ndërkohë që i dyti në Gorë. Kali me emrin “Daniel” nga fshati Bresanë, i pronarit Behar Salihu, u tregua më i shpejtë dhe ka arritur cakun për një kohë tejet të shkurtër. Në vendin e dytë u radhit Restelica e Gorës, ndërkohë që në të tretin, Lipjani.
Gara në vrapimin e kuajve, në komunën e Sharrit organizohej për nderë të festës së punëtorëve, deri në fund të viteve të tetëdhjeta, kur shqiptarët u sprovuan nga pushteti serb. Për nderë të Ditës së Çlirimit të Sharrit, institucionet komunale e kanë rikthyer këtë garë në komunë, e cila ka zgjuar emocione tek shumë qytetarë opojanë dhe më gjerë. Kryeshefi i ekzekutivit, Bexhet Xheladini, tha se është shumë i lumtur që e ka rikthyer këtë garë tradicionale, ndërkohë që ka falënderuar qytetarët që kanë krijuar atmosferë festive dhe sportive “Populli jonë vërtetë meriton aktivitete të tilla, sepse din t’i organizojë dhe t’i respektoj. Shpresojmë që vitin e ardhshëm të kemi më shumë garues, për t’i dhënë kësaj gare më shumë popullaritet”, tha Xheladini. /b. beqaj