Sharr - Hashim Thaçi, anëtarë i Ekipit Negociator dhe kryetar i partisë më të madhe opozitare në vend (PDK), i shoqëruar edhe nga Xhavit Haliti, Enver Hoxhaj dhe bashkëpunëtorë të tjerë, të mërkurën vizitoi komunën e Sharrit, ku kryesisht u përqendrua në ndërmarrjet private të kësaj komune të vogël.
Kreu i PDK-së ka vazhduar udhëtimin e tij në Bellobrad, ku ka vizituar Kooperativën Bujqësore “Sharri”, e cila njihet për djathë cilësor në këto anë. Nga drejtori, Hafiz Rifaj ka mësuar se në rrethanat aktuale, është vështirë të ruash edhe lopë “Në këto rrethana, është rrezik i madh të merresh me veprimtari prodhuese. Ekzistenca jonë edhe më shumë do të rrezikohet, kur tokat bujqësore, të cilat tashmë i ka përvetësuar kooperativa e dikurshme ‘Sharrprodhimi’, do të privatizohen”, u ankua Rifaj.
Mysafiri i lartë i PDK-së, ka qenë shumë i interesuar të mësoj çdo detaj dhe dëshirë të prodhuesve të Sharrit. Ai u ka premtuar atyre më shumë përkrahje, nëse do të arrij të marr timonin e këtij vendi “Do ta keni përkrahjen time maksimale, po qe se do të kem forcë në pushtet”. Thaçi në vazhdim ka vizituar edhe Industrinë e Mishit “Meka” në fshatin Plavë, e cila njihet ndër më të suksesshmet edhe në vend. Ai nga drejtori Burim Piraj, është njohur me sukseset dhe vështirësitë për ta përballuar gjendjen aktuale “Jam i vetëdijshëm se mungesa e energjisë elektrike dhe infrastruktura rrugore ju mundon shumë, por mbahuni edhe pak se do ja dalim mbanë të gjithë”, u shpreh Thaçi. Ndërkohë edhe kreu i kësaj industrie, Burim Piraj, u shpreh se vizitat si kjo u japin më shumë kurajë për t’i përballuar vështirësive “Besoni se jemi demoralizuar krejt... me orë të tëra na mungon rryma, ndërkohë që frigoriferët dhe makinat tona nuk mund t’i lëviz asnjë gjenerator. Por, inshallah stabilizohet kjo trevë se maruam”, tha Piraj. Thaçi më pas ka vizituar edhe një industri të masave plastike në Sharr dhe ka vazhduar rrugën për në fshatin Brod të Gorës, ku kohë më parë ndërmarrja “Kuk-Komerc” ka përuruar një objekt hotelier, duke shpresuar se ky fshat do të bëhet vend turistik. /b. beqaj
