Të shtunën në Sharr u zhvilluan garat e pehlivanëve dhe revy e qenve


Sharr - Ndonëse shiu që kaploi Sharrin në paraditen e së shtunës dhe incidenti në Akademinë solemne, një ditë më parë, ndikuan që gara e pehlivanëve këtë vit të mos jetë madhështore, ato megjithatë u zhvilluan. Njëkohësisht, në arenë munguan edhe shumë pehlivanë, ndërkohë që nga Turqia nuk kishte ardhur asnjë prej tyre. Të gjitha këto i pasuan pengesat paraprake, e që si rezultat doli se kjo garë ishte më e zbehtë se vitet e kaluara.
Për t’i përcjellë garat nga afër, kishte ardhur edhe ministrja Melihate Tërmkolli dhe mysafir të tjerë nga institucionet e vendit, por jo edhe ministri i Kulturës dhe Sportit, Astrit Haraqia, i cili e mbështet këtë aktivitet.
Pa ndonjë shfaqje kulturore, si vitet e kaluara, të pranishmit i ka përshëndetur fillimisht drejtori komunal për Kulturë, Rini e Sport, Muharrem Qafleshi dhe kryetari, Halim Shemsidini e nënkryetari nga komuniteti gorano-boshnjak, Sabedin Çufta.
Menjëherë ka filluar “lufta” mes pehlivanëve të Dorës së Tretë, e cila simbolizon trashëgiminë e këtij sporti popullor në këto troje.
Në Dorën e Dytë, pas një lufte të gjatë, vendin e parë dhe të dytë e kanë ndarë Hamid Bakiu nga Shkupi dhe Sahit Prizreni nga Durrësi, të cilët garën e kanë përfunduar pa e mposhtur njëri-tjetrin. Në vendin e tretë është radhitur Ramazan Bakiu nga Shkupi.
Në Dorën e Parë (finale), pas një gare interesante midis Elis Gurit nga Shkodra dhe Isa Berishës nga Prizreni, shkodrani korr fitore, pasi djaloshi prizrenas ia rrah shpinën, në shenjë të dorëzimit të garës.
Në përfundim të garës, Elis Guri tha se fitorja në garat e Sharrit është kulminacioni në karrierën e tij “Ky është suksesi më i madh në karrierën time, sepse gara në këtë komunë është më e madhja në Kosovë. Duhet të mburreni edhe ju me këtë aktivitet”, tha Guri.
Për ta referuar këtë garë janë angazhuar profesionistë të kësaj fushe nga “Shoqata e trajnerëve të Mundjes e Kosovës”, me në krye Ridvan Kalanderin. Kjo ka ndikuar që gara e pehlivanëve të jetë i vetmi aktivitet në Ditën e Çlirimit të Sharrit, që kaloi në atmosferë sportive dhe pa asnjë aksident.

Pakënaqësi edhe në klasifikimin e qenve!

Ndonëse numri i qenve të ekspozuar në revynë tradicionale, nuk kaloi më shumë se dhjetë, ndër pronarët e qenve pati moskënaqësi. Pasi u ndanë çmimet, njëri nga pronarët protestoi publikisht se ia kanë zhvlerësuar qenin e tij, të cilit nuk i dhanë asnjë çmim.
Tasim Sherifi, veterinar i njohur goran, i cili ishte anëtar i komisionit për vlerësimin e qenve, tha se vërtetë ndarja e çmimeve nuk ka qene korrekte. Sipas tij, edhe në këtë garë ka ndikuar intervenimi “Nuk them se protestuesi ka të drejtë, por klasifikimi nuk është bërë si duhet. Janë disa kritere strikte që e karakterizojnë qenin e Sharrit, e ato nuk janë përfillur”, tha Sherifi.
Ndryshe, vendin e parë e zuri qeni me emrin “Korabi” i pronarit Rexhep Gërdellaj nga fshati Rrenc. Vendin e dytë qeni me emrin “Murgja” nga Plava, ndërsa vendin e tretë e zuri qeni me emrin “Beliq” nga fshati Lybevisht i Gorës.

Ministrja Tërmkolli u kënaq në Sharr

Garën e sivjetme të Pehlivanëve, ministrja e Shërbimeve Publike, Melihate Tërmkolli, e ka karakterizuar mjaftë të rëndësishme. Sipas saj, ajo është ndier këndshëm në Sharr, të cilin e konsideroi mjaftë mikpritës “Ishte një organizim i mirë dhe ndjeva kënaqësi që prezantova këtu. Kjo traditë duhet të ruhet në këtë komunë, sepse në vetë ngërthen pasuri kulturore dhe sportive”, tha Tërmkolli, e cila deri në fund e ka përcjellë garën. /b. beqaj