Gara e pehlivanëve, amanet edhe nga presidenti i ndjerë Ibrahim Rugova


Sharr - Xhafer Bojaxhiu, nga fshati Plavë, në Opojë të Sharrit, ndonëse i ka kaluar të tetëdhjetat, ende duket vital dhe i mbushur me energji. Ai mezi pretë ditën e shtunë, kur në Sharr do të zhvillohet gara më e madhe në mundje, e që tradicionalisht njihet si “Gara e Pehlivanëve”, e trashëguar brez pas brezi për shumë dekada e shekuj. Ai nuk di shumë për trashëgiminë e këtij sporti në këto troje, por me nostalgji fletë për atë që ka përjetuar gjatë jetës së tij “Kur isha i ri, ndonëse punoja në mërgim për ta siguruar kafshatën e gojës për familjen time, këtë sport nuk e anashkaloja, sepse e kam merak. Në Beograd, përkundër punëve të rënda që bënim, të dielave mblidheshim në ‘Kalamejdan’ të rinj nga vise të ndryshme shqiptare të ish-Jugosllavisë, për t’i treguar shkathtësitë e garës së pehlivanëve. Kërshëri zgjonim tek çdo qytetarë që dilte për pushimet e fundjavës në këtë park historik të Beogradit. Edhe sot, këtë sport nuk e zëvendësoj me asnjë tjetër. Mezi presë ditën kur do të zhvillohen këto gara”, thotë plaku Xhafer Bojaxhiu.
Në Opojë, mundja, gjithnjë ka qenë sporti më i popullarizuar, ku ende mbahen në mend gjeneratat e para të kësaj gare, si Bajram Piraj, Hysni Bojaxhiu, Enver Musliu, Nasuf Veliu dhe shumë të tjerë, sikurse që mbahen në mend pehlivanët nga Shqipëria, Maqedonia dhe Turqia.
Këto gara, në komunën e Sharrit ngërthejnë ne vete një histori të pasur. Sa herë që janë zhvilluar ato, tek banorët e këtushëm, por edhe më gjerë kanë zgjuar kërshëri të jashtëzakonshme. Në këto gara, pehlivanë nga të gjitha trojet shqiptare, por edhe nga vende të tjera, si Turqia dhe Bullgaria, tregojnë shkathtësitë, forcën dhe shpirtin luftarak të një malësori.
Sipas historianëve, sporti i mundjes ka zanafillën sa edhe vetë njerëzimi. Në kohërat më të lashta, mundja ka shërbyer si stërvitja më e mirë për t’u përgatitur për frontet luftarake. Në komunën e Sharrit, sporti i mundjes, është trashëguar që nga sundimi otoman, nga edhe merr emrin “pehlivan”.
Gjatë gjithë kohës, sa zhvillohet gara e pehlivanëve, lodrat dhe curlet para dhe gjatë daljes së garuesve në arenë, zhvillojnë programin e tyre, enkas për këtë ceremoni.
Arena duhet të jetë një livadh, me barë të gjelbër dhe të butë, i cili bën amortizimin gjatë rrëzimit të pehlivanëve në tokë. Në arenë hyjnë edhe gjykatësit, furnizuesit me ujë dhe organizatori. Shikuesit mbesin jashtë arenës së rrethuar me litarë të thjeshtë. Në një kënd të rrethit, vendosen lodraxhinjtë dhe cyrlexhinjtë, të cilët me muzikën e tyre i japin ritëm garës duke krijuar atmosferë festive, e cila ndikon shumë edhe në disponimin e shikuesve.
Pehlivanët vishen me pantallona të shkurtër nga lëkura, të punuara me dorë, e që njihen me emrin “Kismete”. Ato peshojnë deri në 8 kg. Në bel, kismetet shtrëngohen me një lidhëse nga lekura që gjatë orvatjes nuk mund të zgjidhen kurrsesi. Nëse kundërshtari e nxjerr nga kismetet rivalin e tij, ai shpallet fitues.
Pehlivanët para se të fillojnë garën, e lyejnë njëri-tjetrin me vaj, jo vetëm trupin por edhe kismetet. Qëllimi i lyerjes është që gjithmonë kapja nga kundërshtari të rrëshqasë, njëherësh edhe që të mbrohet lëkura nga lëndimet që mund të shkaktohen nga bari.
Pasi t’i kenë veshur kismetet dhe të janë lyer me vaj, pehlivanët krenarë hyjnë në arën. Lodraxhinjtë më me forcë u bien lodrave (tupanëve) për t’u tërhequr vëmendjen shikuesve.
Pehlivanët më me nam, hyjnë në rreth, duke vrapuar dhe duke bërë akrobacione të ndryshme. Këto ushtrime i bëjnë për ta tërhequr vëmendjen e publikut dhe si përgatitje fizike.
Gjykatësit kryesisht rekrutohen nga pehlivanët e njohur, të cilët e kanë ndërprerë garën, qoftë nga lëndimet apo edhe nga mosha e vjetër. Gjykatësit, së bashku me organizatorin, kujdesën për propozicionet.
Në Kosovë janë të njohura katër kategori të pehlivanëve, e që të gjitha janë fjalë turke; Çardak (kategoria më e ulët), Orta (kategoria e mesme), Bashali (kategoria dytë) dhe Bash (kategoria e parë).
Në Sharr, gara e pehlivanëve organizohej për nderë të festave fetare dhe gazmendeve familjare. Pas luftës së dytë botërore, në këtë komunë gara e pehlivanëve bëhet tradicionale. Ajo organizohej më Një Maj, për ta shënuar festën ndërkombëtare të punëtorëve. Kjo traditë ishte aktuale, deri në vitet e nëntëdhjeta, kur shqiptarët u sprovuan nga pushteti serb.
Pas luftës së fundit në Kosovë, Kuvendi Komunal i Sharrit e rikthen këtë garë tradicionale, por në një datë tjetër. Për nderë të Ditës së Çlirimit të Sharrit, pehlivanë nga vende të ndryshme të Ballkanit, sërish ekspozojnë muskujt dhe shkathtësitë e tyre. Ky manifestim, i mbështetur edhe nga institucionet qendrore të vendit, në vitin 2004 u shpall tradicional nga presidenti i ndjerë, Ibrahim Rugova, i cili në një prononcim për “Lajmin” pat deklaruar se institucioneve lokale “ua lë amanet që kjo garë të vazhdoj traditën historike të kësaj komune”.
Të shtunën, për nderë të Ditës së Çlirimit të Sharrit, institucionet komunale kanë paralajmëruar garë të madhe të këtij sporti, ku është paraparë që këtë vit të jetë edhe më madhështore.
Një ditë më herët, sipas këtij paralajmërimi, ne Bellobrad do të zhvillohet gara në vrapimin e kuajve, e cila do të jetë edhe një sport i rikthyer tradicional i Një Majit, por që deri më tash nuk është zhvilluar. /b. beqaj