Zgjedhjet serbe i përçajnë goranët e Sharrit


Beograd - Sharr, 03 shkurt 2008 - Iniciativa Qytetare e Goranëve, e cila vepron në Beograd, u ka bërë apel bashkëkombësve të tyre që të votojnë të dielën për presidentin aktual të Serbisë, Boris Tadiq. Këtë ia kanë konfirmuar Agjencisë serbe të lajmeve “Beta” krerët e kësaj iniciative. “I ftojmë të gjithë goranët e Gorës, Serbisë dhe kudo në diasporë që në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të dalin masovisht dhe ta votojnë kryetarin aktual, Boris Tadiq”, citon agjencia “Beta”, komunikatën e lëshuar nga ky subjekt politik i goranëve që vepron në Serbi.
Njëkohësisht, ky subjekt politik ka konkluduar se njerëzit si kundërkandidati i Tadiqit, Tomislav Nikoliq, janë përgjegjës për situatën e krijuar në vend. “Apelojmë edhe tek serbët e Kosovës që mos të votojnë për ata të cilët Kosovën e kanë pru në këtë gjendje, por t’i kthehen ardhmërisë evropiane. Nuk është e rastësishme që BE-ja e ka pezulluar nënshkrimin e marrëveshjes për stabilizim-asocim me Serbinë. Ata duan t’i presin rezultatet e këtyre zgjedhjeve, pastaj të veprojnë. Mos lejoni që komuna e Gorës të mbetet e vetmuar në luftën demokratike për Kosovën”, thuhet më tej në këtë komunikatë, përmes së cilës bëhet e ditur se në raundin e parë të votimit, në tri vendvotime të Gorës kanë dalë 64% e votuesve, prej të cilëve 58% kanë votuar për Tadiqin ndërsa vetëm 9.5% për Nikoliqin. Sipas agjencisë “Beta”, në Serbi janë të regjistruar në listat e votimeve 54 mijë goranë.
Nga ana tjetër, në një prononcim për media, kryetari i Iniciativës Qytetare të Gorës (GIG) me seli në Sharr, Mursel Halili, ka thënë se “GIG-u” që drejton ai nuk ka asgjë të përbashkët me “GIG-un” që vepron në Beograd. Halili nuk e ka fshehur angazhimin e tij që treva e Gorës të jetë njësi vetadministruese, por që nuk ka përmendur nëse fjala është për themelimin e komunës së Gorës. “Goranët, përmes Kuvendit të Kosovës, ku jam edhe unë deputet, do të tentojnë t’i zgjedhin në mënyrë institucionale problemet që i preokupojnë, sikurse që është çështja e arsimit. Presin që ta realizojmë të drejtën e vetëadministrimit lokal, ku do t’i zgjidhnim shumë probleme që na janë grumbulluar”, thotë Halili.
Sa i përket zgjedhjeve të raundit të parë dhe shifrës që kanë publikuar mediat serbe në lidhje me pjesëmarrjen e goranëve, Halili thotë se ato janë shifra të fryra dhe as përsëafërmi nuk ngjasojnë me realitetin “Nuk janë të sakta këto të dhëna. Unë disponoj me të dhëna të sakta, sipas të cilave vetëm rreth 15% e votuesve nga Gora kanë dalë në votime. Këto të dhëna janë manipulime që vijnë nga qarqe të ndryshme të Beogradit, duke veçuar me këtë rast edhe Rexhep Hoxhën, dikur zyrtar i lartë i Beogradit. Ata me kohë e kanë përgatitur raportin, në bashkëpunim me koordinatorin e Qendrës Koordinuese serbe, me seli në Vraniç të Gorës, që drejtohet nga Abdi Alia”, tha Halili.
Edhe zyrtarët e koalicionit “Vakat”, vlerësojnë se shifra e paraqitur në mediat e Beogradit është tepër e fryrë, ndonëse vlerësojnë se edhe ky numër i votuesve , rreth një mijë, është brengosës. Siç thonë ata, në votimet e raundit të parë, pos atyre që marrin paga nga Serbia, është vërejtur se kanë marrë pjesë edha ata marrin paga nga buxheti i Kosovës.
Në raundin e parë për zgjedhjet presidenciale në Serbi, kutitë e votimit janë hapur në tri vendbanime të Gorës; Glloboçicë, Vraniç dhe Mlikë, ku pos qytetarëve nga këto fshatra, kanë marrë pjesë edhe qytetarë nga fshatrat tjera të Gorës. E njëta gjë pritet të ndodhë edhe sot, kur po zhvillohen zgjedhjet e rrethit të dytë për kryetar të Serbisë /b. beqaj