Në Bresanë u përurua shkolla e re
Sharr, 31 janar 2008 - Të enjten banorët e fshatit Bresanë të Opojës së Sharrit patën festë, pasi atyre iu përurua shkolla e re shtesë, në kuadër të asaj ekzistuese “28 Nëntori”.
Krahas strukturave të pushtetit lokal, në këtë ceremoni morën pjesë mysafirë nga Zyra Ndërlidhëse e Gjermanisë në Prishtinë, përfaqësues të Shoqatës për Bashkëpunim Teknik (GTZ), si dhe përfaqësues të firmave të ndryshme që morën pjesë në ndërtimin e kësaj shkolle, e cila kap sipërfaqen shfrytëzuese prej 650 metrash katrorë.
Kjo shkollë ka nëntë klasë mësimi, si dhe një dhomë për kabinetin e informatikës, që do t’u vihet në dispozicion rreth 900 nxënësve të kësaj shkolle.
Me duartrokitje frenetike, ushtarët e kontingjentit gjerman të KFOR-it, në krye me komandantin Robert Bund, drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Sharr, Hajri Ramadani, si dhe kryetari i fshatit Bresanë, Ymer Ademi, në mënyrë solemne bënë përurimin e shkollës së re të këtij fshati.
Vënia e gurthemelit ishte bërë në maj të vitit të kaluar, ndërsa kostoja e përgjithshme e këtij projekti arrin vlerën prej 180 mijë eurosh, të cilën e kishin ndarë Komuna e Sharrit dhe GTZ-ja gjermane. /b. beqaj