Momqillo Trajkoviq vizitoi Sharrin dhe Vraniçin


Sharr, 29 shkurt 2008 - Momqillo Trajkoviq ka qëndruar në Sharr, por askush nuk e kishte hetuar vizitën e tij. Ai i ka anashkaluar institucionet lokale të Sharrit, duke u takuar vetëm me krerët e Iniciativës Qytetare të Gorës (GIG) dhe me udhëheqësit e komunitetit goran në fshatin Vraniç të Gorës, ku qeveria serbe ka hapur zyrën e saj. Kryetari i GIG-ut, Mursel Halili, e ka mohuar të jetë takuar me Trajkoviqin, duke theksuar se ai është takuar të mërkurën vetëm me një delegacion bullgar, i drejtuar nga Nikolay Kolev, shef i Zyrës Bullgare në Prishtinë dhe Krasimir Karakachanov, parlamentar i Bullgarisë. “Vetëm kamë dëgjuar se Trajkoviq ka qenë këtu, ku ka qëndruar në një kafene të qytezës. Unë nuk kam pasur asnjë takim me të, andaj nuk mund të them asgjë më tepër. Ndërkaq, me delegacionin bullgar kam biseduar rreth ndihmës që ky shtet u jep komuniteteve. Kam kërkuar që në kuadër të kësaj ndihme të përfshihen edhe goranët”, tha Halili.
Sipas tij, bullgarët kanë shprehur gatishmëri që të dërgojnë dhjetë studentë të kësaj treve për studime në Bullgari, si dhe mundësitë për ndihma të tjera këtij komuniteti.
Halili thotë se delegacioni bullgar i ka ftuar ata që të marrin pjesë në manifestimin e Ditës së shtetësisë së Bullgarisë, e cila do të shënohet në Prishtinë.
Burimet tona mësojnë se Trajkoviq, pasi ka qëndruar në zyrën e GIG-ut, ka rrugëtuar deri në fshatin Vraniç të Gorës, ku është takuar me përfaqësues të komunitetit goran, si dhe me koordinatorin e Zyrës së qeverisë serbe në këtë fshat, Abdi Alia. Gjatë kësaj vizite, Trajkoviq i ka ftuar goranët që t'u bashkohen protestave kundër pavarësisë së Kosovës, si dhe ka kërkuar nga policët e këtij komuniteti që ta bojkotojnë SHPK-në.
Trajkoviq ka mbetur i dëshpëruar, sepse merret vesh që kërkesat e tija janë refuzuar nga goranët, të cilët nuk kanë gjetur asnjë arsye për ta rrezikuar lirinë dhe të drejtat që gëzojnë në këtë komunë.
Trajkoviq u ka propozuar atyre alternativën tjetër; udhëtimin e organizuar deri në Mitrovicë, për t'iu bashkuar protestuesve serb.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e subjektit politik boshnjak nga Gora "Vatan", nuk kanë dashur të merren me këtë vizitë, duke thënë se kanë dëgjuar për një vizitë të tillë, por që nuk iu ka interesuar më shumë. /b. beqaj