Kreu i KFOR-it në Kosovë vizitoi Sharrin
Sharr, 05 mars 2008 - Duke apostrofuar gjendjen e sigurisë, pas shpalljes së pavarësisë, komandanti i përgjithshëm i KFOR-it, Ksavier de Marnak, tha të mërkurën në Sharr se situata e sigurisë në Kosovë është stabile dhe nuk pritet ndonjë konflikt i mundshëm. Gjenerali Marnak ka premtuar se KFOR-i është i gatshëm që të reagojë në çdo kohë dhe çdo rrethanë, kur atyre do tu kërkohet një gjë e tillë “Ju përgëzoj për faktin që keni arritur të bëheni shembull i mirë i bashkëjetesës, tolerancës dhe gjendjes së sigurisë në Kosovë. Është shumë i rëndësishëm ky fakt në këtë moment, kur Kosova po kalon nëpër një histori të re”, tha Marnak në takimin që zhvilloi me kryetarin e KK-së, Salim Jenuzin dhe më pas edhe me këshilltarët e KK-së.
Marnak i ka përgëzuar edhe qytetarët që, siç u shpreh, kanë treguar maturi dhe pjekuri ndaj të gjitha lëvizjeve provokuese, si dhe për bashkëpunimin me trupat e KFOR-it “Më vjen mirë që keni bashkëpunim të mirë me pjesëtarët e KFOR-it dhe organet tjera të sigurisë, si udhëheqësit ashtu edhe qytetarët, sepse kjo situatë e lakmueshme dhe stabile nuk mund të mbahet pa ndihmën tuaj”.
Përkitazi me paralelizmin e institucioneve arsimore në këtë komunë, për të cilën i shprehën brengosje politikanët e Sharrit, kreu i KFOR-it tha se kjo çështje do të merr pak kohë, derisa të zgjidhet. “Duhet ta kuptojnë të gjithë se kjo do të zgjidhet ngadalë, por që nuk lidhet direkt me KFOR-in, sepse nuk ndikon në siguri. Megjithatë, ne i përcjellim me shumë kujdes këto veprime”, tha Marnak.
Rreth incidenteve që po ndodhin kohët e fundit nga ana e serbëve në Kosovë, kreu i KFOR-it, Ksavier de Marnak, ka theksuar se për momentin situata është nën kontroll “Incidentet i kemi dënuar gjithnjë dhe KFOR-i është i gatshëm të intervenoj në çdo situatë, nëse i kërkohet kjo nga UNMIK-u”. Ai tha se mandati i tyre nuk është që të veprojnë, nëse kjo gjë nuk iu kërkohet. Por, sipas tij, sa herë që është kërkuar intervenimi i tyre, ata me shpejtësi kanë intervenuar.
I pyetur për helikopterin e rrezuar ditë më parë në kufirin Kosovë-Shqipëri, komandanti i KFOR-it e ka mohuar të jetë rrëzuar ndonjë helikopter i tyre “Helikopterin për të cilin flitet shumë, nuk i përket KFOR-it, edhe pse për një rrëzim të tillë kemi dëgjuar në media”, tha Marnak.
Paralajmërimeve se Azerbajxhani do t’i tërheq forcat e stacionuara në jug të Kosovës, ku një kontingjent ndodhet edhe në Sharr, gjenerali Marnak u është përgjigjur se në KFOR ende nuk ka ndonjë lëvizje të tillë. “Ne jemi kompakt, ashtu siç kemi qenë edhe më parë. Asnjë shtet nuk na ka paralajmëruar se do t’i tërheq forcat e tij”, konfirmoi kreu i KFOR-it në Kosovë, Ksavier de Marnak. /b. beqaj