Goranët nga Serbia nuk e njohin shtetin e Kosovës


Sharr, 23 shkurt 2008 - Një ditë pasi popullata gorane ka festuar shpalljen e pavarësisë së Kosovës, në fshatin më të madh të Gorës dhe komunës së Sharrit, Restelicë, Iniciativa Qytetare Gorane (GIG), me seli në Beograd u ka bërë thirrje bashkëkombësve në Kosovë që të mbesin në vatrat e tyre, por që ta respektojnë legjislacionin e Serbisë dhe shtetin serb. Kjo organizatë politike, krerët e së cilës vazhdojnë të jetojnë në Serbi, ka apeluar tek bashkëkombësit që mos ta pranojnë shpalljen e Kosovës shtet të pavarur. “Ju bëjmë ftesë që mos ta lëshoni Gorën dhe Kosovën e Metohinë dhe mos ta njihni pavarësinë e krahinës jugore të Serbisë. Ky është çasti më i rëndë në historinë e goranëve, prandaj mos lejoni që me provokime të ju shtyjnë t’i lëshoni vatrat tuaja", thuhet në komunikatën e lëshuar nga ky subjekt politik me seli në Beograd, duke i porositur edhe institucionet e Serbisë që në kuadër të aktiviteteve të tyre në Kosovë, mos t’i injorojnë goranët.
Kryetari i Iniciativës Qytetare të Gorës (GIG), me seli në Sharr, Mursel Halili, tha se të gjitha qëndrimet e kësaj organizate nga Beogradi janë çështje të tyre dhe nuk ndërlidhen me subjektin që drejton ai “Kjo shoqatë që ngjason me emrin e subjektit tonë politik, vepron në Beograd dhe nuk ka të bëj me ne. Çfarëdo që të kenë deklaruar ata, mbetët çështje e tyre”, tha deputeti i Kuvendit të Kosovës, Halili, duke mos u deklaruar në lidhje me qëndrimin e subjektit të tij, në lidhje me deklaratën e pavarësisë, ku ai nuk mori pjesë si deputet. “Ne do të dalim me një qëndrim të qartë për publik, por ende nuk kemi arritur të mblidhemi në kryesi për ta diskutuar këtë çështje. Sa i përket mungesës sime në Kuvendin e Kosovës, faji mbetet tek administrata e këtij institucioni, i cili nuk ma ka dërguar ftesën me kohë. Unë kur e kam marrë ftesën, pasi kam dëgjuar në media se po mbahet kuvendi, ka qenë e pamundur të arrij nga Sharri në Prishtinë”, tha Halili.
Nga ana tjetër, goranët që tashmë e quajnë vetën boshnjakë, vazhdojnë të festojnë sikurse edhe shqiptarët, pa dashur të merren me bashkëvendësit e tyre, të cilët vetën e quajnë goranë, sipas kombësisë. Sabedin Çufta thotë se popullata boshnjake tashmë po merr frymë lirshëm dhe shpreson që secili do ta kuptoj se Kosova tashmë është shtet. “Ne kemi zier hallvë, për ta shënuar lindjen e shtetit të Kosovës. Kjo është traditë e jona kur na lindin fëmijët”, tha Çufta. /b. beqaj