Jenuzi premton punë dhe transparencë maksimale


Sharr, 12 shkurt 2008 - I vetëdijshëm që e presin vështirësi të shumta gjatë këtij mandati, si njeriu i parë i një komune të varfër, kryetari i Sharrit, Salim Jenuzi, shpreson se me angazhim të të gjithëve do t’ia arrijë që mos t’i zhgënjejë qytetarët e dy trevave të kësaj komune, duke i shpërblyer ata për besimin që ia kanë dhënë. Jenuzi thotë se do të kujdesët që shpenzimi i parasë publike te bëhet me “kimet”, ndërsa përqendrimin kryesor në zhvillim do ta ketë në realizimin e projekteve që do të qojnë në zhvillimin e bujqësisë, blegtorisë dhe turizmit. “Që nga dita e parë e punës sime jam marrë me identifikimin e prioriteteve, me të cilat duhet të merrem pa humbur kohë”, thotë Jenuzi, duke premtuar se do t’i mbyllë ventilet që e kanë avulluar buxhetin komunal gjatë mandatit të paraardhësve të tij. “Për tre autobusët, pronë të komunës, nga shtatori i këtij viti do të gjejmë zgjidhje tjetër, sepse ata i kanë kushtuar mjaft komunës. Edhe shpenzimet e telefonave që kanë qenë të fryrë, ne i kemi reduktuar deri në maksimum”, sqaron Jenuzi.
Sa u përket investimeve, sipas Jenuzit, për qeverinë e re lokale prioritet është asfaltimi i aksit të ri të rrugës Bellobrad – Mejdan, i cili ka gjatësinë 2.5 kilometër, por që nuk është kryer, edhe pse ai ka nisur së realizuari para disa vjetësh. “Përveç kësaj, ne do të gjejmë forma për sigurimin e mjeteve, në mënyrë që këtë vit t’i asfaltojmë edhe rrugët që shpien nga magjistralja Zhur – Sharr, drejtë fshatrave Plavë, Buçe dhe Rrenc. Të gjitha këto në trevën e Opojës, ndërsa në trevën e Gorës do ta asfaltojmë rrugën që lidh fshatin Radeshë me Sharrin”, premton Jenuzi, duke shtuar se ka premtime nga CIMIC-u gjerman se do të ndihmohet komuna në hapjen e disa rrugëve drejtë kullotave të larta, që kjo komunë ka sipërfaqe të mëdha.
Lidhur me arsimin, Jenuzi ka nënvizuar se shpreson që gjatë këtij viti të realizojë aneksin e shkollës fillore në Llopushnik dhe shkollën e fshatit Rrenc.
Për problemet e gjetura, Jenuzi ka bërë të ditur se ka trashëguar nxehjen nëpër disa shkolla. “Kemi probleme me shkollën e mesme “Ruzhdi Berisha”, QKMF-në dhe në të gjitha shkollat fillore. Lëndën djegëse këto institucione e kanë në përfundim e sipër”, ka thënë Jenuzi.
Në fund, numri një i Sharrit ka premtuar transparencë në punën e tij, e që kjo u ka munguar në të kaluarën qytetarëve. “Maksimalisht do të jemi transparentë gjatë punës sonë. Të gjithë qytetarëve iu premtoj qasje të plotë në dokumentet zyrtare, pos atyre që me akte ligjore nuk lejohen. Ata do të kenë të drejtë të kontrollojnë çdo gjë që mund të kontrollohet, ngase puna jonë do të jetë e hapur, në veçanti për çështjet që janë në interesin e tyre. U premtoj qytetarëve se do të kenë një administratë të efektshme, sepse administrata komunale është në shërbim të tyre, e jo ata në shërbim të saj”, ka përfunduar Jenuzi. /b. beqaj