Sharri përgatitet për kremtimin e pavarësisë


Sharr, 13 shkurt 2008 - Krerët komunalë të Sharrit kanë tubuar të martën të gjitha strukturat e sigurisë, si dhe drejtuesit e partive politike, për t’u përgatitur sa më mirë në kremtimin e manifestimit, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Të gjithë i janë përgjigjur ftesës pozitivisht, ndërkohë që përfaqësuesit e Iniciativës Qytetare të Gorës (GIG) munguan në këtë takim.
Kryetari i Sharrit, Salim Jenuzi, njoftoi se kremtimi do të bëhet me shumë këngë e valle, por pa asnjë fjalim, në mënyrë që t’u shmangen keqkuptimeve që do të pasonin pas fjalimeve në këtë ditë. “Nuk do të ketë fjalime nga askush, por vetëm këngë, valle dhe argëtim. Kjo na është sugjeruar edhe nga Prishtina”, tha Jenuzi, pas së cilit propozim reagoi kreu i OVL të UÇK-së, Shpejtim Kamberi, i cili e konsideroi manifestimin si gjysmak. “Nuk ka kuptim nëse nuk do të lejoheshin fjalimet në këtë ditë të madhe”, tha Kamberi. Edhe kryetari i degës së AKR-së, Ismet Lecaj, insistoi që të paktën kryetari i komunës t’u drejtohet qytetarëve në këtë manifestim. “Nuk bën hiq, nëse ju z. Kryetar nuk i drejtoheni masës, të paktën sa për t’ua uruar shpalljen e pavarësisë”, tha Lecaj.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e dy partive boshnjake u zotuan se do të marrin pjesë në kremtimin e shpalljes së pavarësisë. Zv-kryesuesi i KK-së, Sabedin Çufta, kërkoi që kremtimi të bëhet në mënyrë dinjitoze, ku do të merrnin pjesë edhe popullata e Gorës. “Pavarësia bëhet për krejt popullin e Kosovës dhe jo vetëm për shqiptarët. Këtë do të mundohem t’ua sqaroj edhe bashkëkombësve të mi, në mënyrë që edhe atë të festojnë”, tha Çufta. Edhe përfaqësuesit e Partisë së Aksionit Demokratik (SDA) premtuan se do të marrin pjesë në këtë kremte të madhe. E vetmja gjë që i frikësohen partitë nga Gora është provokimi i mundshëm i tyre nga shqiptarët, e që mund të shkaktoj ndonjë të keqe.
Ndërkaq, përfaqësuesit turq të KFOR-it, pasi kërkuan që mos të ketë armë në ditën e kremtes, paraprakisht ia uruan kosovarëve pavarësinë. “Edhe pse nuk e dimë se kurë do të ndodhë kjo, ne ju urojmë, që tani, arritjen e pavarësisë suaj. Prandaj, festoni, por pa armë ju lutemi”, tha njëri nga oficerët turq të KFOR-it.
Të gjithë të pranishmit u zotuan se do të angazhohen që simpatizantët e tyre t’i këshillojnë dhe t’i lusin që kjo kremte të kalojë si është më së miri. Edhe ish-kryetari i KK-së, Halim Shemsidini, u zotua se do ta përkrahë pushtetin aktual në organizimin e kësaj feste të madhe që pritet t’iu ndodhë kosovarëve. /b. beqaj