Restelica festoi shtetësinë e Kosovës


Restelicë, 18 shkurt 2008 - Qytetarët nga fshatrat e Gorës iu përgjigjën ftesës së restelicasve, të cilët organizuan festë për nderë të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Në këtë festë morën pjesë të gjitha strukturat komunale dhe ato të sigurisë, ku edhe u ngrit për herë të parë flamuri i shtetit të Kosovës. Në tubim u tha se shteti më i ri në botë u takon edhe popullatës së Gorës, sikurse që u takon popujve të tjerë që jetojnë në Kosovë.
Të pranishmëve iu drejtuan kryetari i fshatit Restelicë, Isa Mutash, pastaj edhe imami i fshatit, Haxhi Shabani, i cili tha se këtë ditë restelicasit e kanë pritur me shekuj dhe se kjo ditë shënon fundin e mashtrimit të popullatës së kësaj treve me iluzione të parealizueshme. Ai përmendi se kjo popullatë nuk është me kombësi gorane, por si e tillë quhet në bazë të emrit të trevës. Sipas imamit, termi goran si etnitet, është vënë nga regjimi serb, për ta zhdukur termin e vjetër nacional, mysliman.
Te pranishmëve në këtë tubim iu drejtua edhe kreu komunal, Salim Jenuzi, i cili në gjuhën boshnjake u tha të pranishmëve se pavarësia e Kosovës është për të gjithë dhe jo vetëm për shqiptaret “Në Kosovë nuk do të ketë popuj shumicë dhe pakicë, por do të jenë të gjithë të barabartë”, tha Jenuzi.
Masës së tubuar iu drejtuan edhe dy deputetët boshnjakë në Kuvendin e Kosovës, të cilët nënshkruan deklaratën e pavarësisë, Sadik Idrizi dhe Xhezair Murati. Njëherësh, masës iu drejtuan edhe pjesëtarët e TMK-së, të cilët u zotuan se do të jenë siguri për të gjithë. /b. beqaj