Në Sharr u debatua për projekt-kushtetutën e Kosovës


Sharr, 30 janar 2008 - Eqrem Kryeziu, Kadri Kryeziu dhe Bajram Latifi nga minoritetet, të martën qëndruan në Sharr, ku si anëtarë të Komisionit kushtetues shpalosën në shtylla të trasha përmbajtjen e draftit kushtetues që pritet të hyj në fuqi pas shpalljes së pavarësisë së vendit.
Organizuar nga Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim (ATRC), në sallën e kuvendit Komunal të Sharrit, ku i pranishëm ishte edhe kryetari komunal, Salim Jenuzi, përpiluesit e kushtetutës së ardhshme të vendit sqaruan se Kosova do të ketë këtë dokument bazë të shtetësisë nga më të avancuarit në rajon. Sipas tyre, kushtetuta e ardhshme e Kosovës e radhitë vendin në sistemin parlamentar, por që presidenti do të ketë shumë kompetenca edhe pse Kuvendi do te jetë organi më i lartë i vendimmarrjes. “Draft-kushtetuta i ka 157 nene, për të cilat jemi angazhuar shumë, në mënyrë që secilën fushë jetësore ta rregullojmë me kushtetutë, sidomos të drejtat e njeriut”, tha Eqrem Kryeziu, duke sqaruar se element bazë ka qenë plani i Ahtisarit.
Edhe Kadri Kryeziu ka konkluduar se kushtetuta e Kosovës do të jetë ndër dokumentet më të avancuara në rajon, ku sipas tij, e drejta e pakicave kombëtare është aq e avancuar sa që mund të thuhet se është bërë diskriminim pozitiv ndaj tyre. “Përpos barazisë së qytetarëve, simboleve shtetërore dhe çështjeve që kanë të bëjnë me rregullimin e shtetit, pakicat zënë vend të posaçëm. Ato do të kenë edhe më tej 20 vende të rezervuara në Kuvend, nga 120 sa do të ketë gjithsejtë”, tha Kryeziu, duke shtuar se me këtë draft-kushtetutë parashihen edhe Forcat e Sigurisë, të cilat do të numërojnë rreth 2500 pjesëtarë me armatim të lehtë. “Ne do të jemi pjesë e NATO-s, prandaj nuk do të kemi nevojë për armatim të rëndë”, tha Kryeziu.
Sipas panelistëve, presidenti i vendit do të jetë komandant suprem i forcave të sigurisë dhe zbatues i të gjitha përgjegjësive që do t’i marr ai nga Kuvendi.
Nga ana tjetër, anëtari boshnjak i këtij Komisioni, Bajram Latifi, tha se ai nuk ka qenë në këtë komision për t’u përkujdesur për komunitetin që i takon, por për të dhënë kontributin e tij profesional, në mënyrë që të nxirët ky dokument sa më i përsosur. “Mos prisni që unë do të kem punuar vetëm për pakicat. Unë si jurist kam punuar që kjo kushtetutë të jetë e mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës”.
Në fund, pjesëtarë nga grupe të ndryshme të interesit, si ata nga OVL e UÇK-së dhe Bashkësia Islame, u interesuan për më shumë sqarime rreth çështjeve që kanë të bëjnë me ta, por që panelistët sqaruan se të gjitha çështjet do të rregullohen me ligje të veçanta, ndërkohë që në kushtetutë janë të përfshirë në kuadër të të drejtave të njeriut. /b. beqaj