Fillimi i vitit... 2008


Nga: Beqir BEQAJ












U vodh trafa... S’u vodh trafa e “Sharrprodhimit”... Ngjarja u bë transparente edhe në media, por që mbeti vetëm me kaq. As gazetarët nuk u morën në pyetje nga prokuroria për shpifje dhe as të etiketuarit nuk u morën në pyetje për vjedhje! E gjithë ngjarja mbeti vetëm si një përrallë interesante dhe asgjë më shumë. Ishte kjo edhe një dëshmi se në vendin tonë shkrimet në media nuk qojnë peshë tek organet e drejtësisë, apo edhe në legjislacionin e vendit. Krejt çka mbeti të shpresohet, ishte ndëshkimi përmes votës.
Gjatë fushatës parazgjedhore, e cila u përcoll edhe me debate televizive, kryetari aktual i Sharrit i tha troç njeriut që dukej të ishte kandidati më serioz për t’ia cenuar postin, se ai është analfabet! Ndoshta edhe kishte të drejtë, bazuar në aktivitetin e këtij të fundit, si bartës i opozitës më të fuqishme në Sharr. Por, një shprehje e tillë në publik ishte gabim i madh për të parin e komunës, edhe pse karshi kryeopozotarit dhe subjektit politik që drejtonte, ai bënte çfarë dëshironte, pa u ndrojtur se do të ballafaqohet me një opozitë të fuqishme. Mblidhej seanca e KK-së dhe miratohej e vendosej çka i tekej pozitës, pa ndonjë vështirësi. Sharra në gozhdë i zuri pozitës, vetëm në seancën e fundit kur duhej të miratohej një ndryshim i “vogël” në lidhje me pronësinë e një parcele në Sharr, e cila mëpastaj do të shfrytëzohej nga njerëz të caktuar për ndryshime të mëdha për interesa klanore. Vetëm kësaj radhe u pa se sa e fuqishme ishte opozita dhe çka mundej të bente ajo, sikur të ishte aktive gjatë gjithë kohës kur udhëhiqte legjislacioni i deritashëm komunal.
Ndonëse ka pasur investime të mira gjatë punës së ish-legjislacionit, kualiteti i tyre i dobët dhe mospërfshirja në kryerjen e këtyre punëve nga ndërmarrjet e kësaj komune, disi e zbente besueshmërinë se çdo gjë po punohet me sinqeritet dhe duar të pastërta. Ky ishte edhe një shkaktar që krijonte kundërshtarë për këtë legjislacion. Këtë ka mundur ta vërej ish-pushteti nëpër çdo ndejë por edhe në disa media që mundoheshin të përkushtoheshin në informim të drejtë të publikut.
Ndonëse nuk ishte lehtë të plasoje ngjarje që realisht i interesonin popullatës, por jo edhe pushtetarëve, dikush duhej ta bënte këtë për hir të ruajtjes sadopak të profesionit të gazetarisë. Mjaftoi ta publikoja storien në lidhje me aferën e një transformatori që u hoq nga “Sharrprodhimi” për t’u vendosur në një lagje të Sharrit, për t’u shpallur unë person i padëshirueshëm në zyrën e, tashmë ish-kryetarit komunal. Natyrisht që edhe ky ishte veprim i keq për kryetarin, pikërisht në kohën kur transparenca kërkohej gjithnjë e më tepër, si kusht për ta bindur publikun se ky pushtet po punon me sinqeritet dhe duar të pastra.
Erdhi koha e zgjedhjeve, e cila konsiderohet si dita kur populli gjykon! Krejt çka u tha gjatë fushatës parazgjedhore, ishte e kotë. Populli tashmë kishte vendosur se si do të vepronte me listën votuese. Në bazë të rezultatit të zgjedhjeve, u pa se populli nuk ishte i kënaqur me veprimet dhe punën e ish-pushtetarëve aktual. Pas një kohe të gjatë, populli mori guximin të votoj për ndryshime. Prandaj, ata që morën rolin dhe besimin e popullit për të bërë ndryshime, duhet që mos ta harrojnë kurrë se populli i pruri në pushtet për të bërë ndryshime pozitive, në dobi të tij dhe jo për të ndryshuar njerëzit e pushtetit.