Sharr, 23 dhjetor 2007 - Pasi shumica dështuan në politikë, ku emri i tyre figuronte në listat zgjedhore, si pretendentë për ndonjë pozitë në pushtet, 42 mësimdhënës dhe tre drejtorë shkollash, tani vrapojnë pas institucioneve, për t’i kërkuar pagat e nëntorit. Ata janë hequr nga lista e pagave për këtë muaj, sepse rregullorja e parashikonte një gjë të tillë. Disa mësimdhënës vazhdojnë të trokasin në dyert e Drejtorisë komunale të Arsimit (DKA), për të kërkuar sqarime për arsyen e heqjes nga lista e pagave. Arsimtari i Biologjisë në shkollën fillore “Sezai Surroi” në Bellobrad, Ajni Aliu, thotë se atë nuk e ka njoftuar askush nga zyrtarët e Arsimit, përkitazi me rregulloren për zgjedhjet e nëntorit, prandaj ai kishte punuar si çdo muaj tjetër.
Përpjekjet e tij për ta marrë rrogën e nëntorit, deri më tani kanë qenë të kota, ngase asnjë zyrtar i kësaj drejtorie, nuk ishin në gjendje t’i jepnin sqarime, prandaj ai synon t’i drejtohen MASHT-it për të kërkuar ndihmë.Zyrtarët e DKA-së, shprehen se nuk kanë qenë të informuar për pasojat që mund t’i kenë, ata që hyjnë në listat kandiduese. Aq më tepër gjendja është koklavitur, sepse gjatë kësaj periudhe mësimdhënësit kanë qenë të përfshirë në procesin mësimor, duke mos e humbur asnjë orë mësimi. “Drejtoria fare nuk ka qenë e informuar për pasojat që mund t’i kenë punëtorët e arsimit, e as që kemi marrë ndonjë urdhëresë administrative apo shkresë tjetër se ata nuk mund të mbajnë mësim gjatë fushatës zgjedhore”, ka deklaruar për media Nexhati Shaipi, përgjegjës financash në DKA të Sharrit.
Mësohet se në këtë komunë kjo dukuri ka ndodhur vetëm me punëtorët e arsimit, ngase të tjerët që kanë qenë të futur në listat zgjedhore, paraprakisht kanë qenë të njoftuar nga përgjegjësit e tyre. Kjo ka bërë që mësimdhënësit të dyshojnë në eprorët e tyre, të cilët i akuzojnë se ata e kanë ditur një rregullore të tillë, por që kanë heshtur, sepse u ka konvenuar. “Edhe Drejtoria e Arsimit edhe drejtori i shkollës sonë e kanë ditur këtë rregullore, por që kanë heshtur, sepse u ka konvenuar që ne të punojmë”, ka shprehur dyshimin arsimtari, Ajni Aliu. /b. beqaj