Nis konstituimi i pushtetit të ri


Sharr, 10 janar 2008 - Asambleja komunale e Sharrit, të enjten zgjodhi dy zëvendës kryesuesit e KK-së dhe publikoi emrat e tre drejtorëve të drejtorive komunale dhe drejtuesin e Zyrës së Komuniteteve. Me vota të fshehta u votua për tre kandidatët e propozuar për zëvendës kryesues të KK-së, njëri prej të cilëve duhej të ishte nga radhët e komunitetit boshnjak. Mitat Fejza i PDK-së ishte i vetmi kandidat që fitoi në raundin e parë të votimit, ndërkohë që boshnjaku, Sabidin Çufta, nga koalicionit “Vakat” u desh të zgjidhet me një votim shtesë, ku figuronte vetëm emri i tij, pasi që në raundin e parë nuk fitoi 11 votat e duhura. Qamil Kolloni i LDD-së nuk arriti të zgjidhet në këtë post, pasi ai mori vetëm gjashtë vota.
Në vazhdim të seancës u formuan vetëm tri komitetet e përhershme, ai për Politikë e Financa, me 7 anëtarë, për Komunitete me 6 anëtarë, si dhe ai për Ndërmjetësim, me 5 anëtarë, duke pasur parasysh me këtë rast përfaqësimin e subjekteve politike, atë gjinore, si dhe përbërjen etnike të kësaj komune.
Këshilltarët në vazhdim miratuan vendimin për shpalljen e konkursit për drejtues të Drejtorisë për Administratë dhe Personel, formuan panelin për zgjedhjen e tij, si dhe miratuan vendimin për hartimin e statutit të ri të komunës.
Në përfundim, kryetari i komunës, Salim Jenuzi, i publikoi emrat e vetëm tre drejtorëve të rinj, si dhe drejtuesin e ri të zyrës së komuniteteve, ndërkaq për drejtorët tjerë do të shpallet konkurs.
Në krye të Drejtorisë për Arsim e Kulturë do të jetë Hajri Ramadani, në atë të Shëndetësisë, dr. Ramadan Jashari, Ekonomisë e Financave, Ahmet Bahtijari, Zyrën e Komuniteteve do ta drejtojë sërish Mehmet Hamza, ndërsa drejtorin e Urbanizmit dhe Kadastrit do ta udhëheq një kandidat i propozuar nga koalicioni “Vakat”, të cilët në këtë seancë nuk e paraqitën propozimin e tyre. /b. beqaj