Sharr, 23 dhjetor 2007 - Pasi ka arritur shuma mbi 800 mijë euro që kanë grumbulluar borxhe ndaj KEK-ut, kjo e fundit ua ka ndërprerë në transformatorë rrymën katër vendbanimeve të kësaj komune, në prag të festës së Bajramit. Banorët e revoltuar nga ky veprim i KEK-ut, sidomos në prag të festës më të madhe fetare, shprehen se kjo ngjarje mund të këtë lidhshmëri edhe me politikën. Disa prej tyre akuzojnë menaxherin e rrjetit rajonal të KEK-ut në Prizren, Vehbi Sofiun, se ai u është hakmarrë, për shkak se nuk ka fituar asnjë votë nga këto fshatra, derisa kandidohej për deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e AAK-së. Vetë Sofiu, i cili është nga Opoja, qëndroi në Sharr, ku u njoftua me gjendjen aktuale, duke shprehur zhgënjimin e tij që kjo komunë e ka neglizhuar pagesën e rrymës, përderisa gjatë verës ishte e para në rajon për nga pagesat që i bënte KEK-ut.

Fshati më i madh i kësaj komune, Restelica e Gorës, si dhe tri fshatra të Opojës, Bellobradi, Kuki dhe Brruti, kanë grumbulluar borxhin mbi 800 mijë euro. Afërsisht gjysmën e kësaj shume e ka krijuar vetëm fshati Restelicë, vendbanim ky i nënkryetarit aktual të KK-së, Sabedin Çufta, i cili nuk deshi të flasë në lidhje me arsyet e ndërprerjes se energjisë në fshatin e tij. “Nuk i di arsyet e vërteta pse na është ndërprerë rryma... Thonë se kemi shumë borxh”, tha shkurt Çufta.
Mirëpo, kryeplaku i këtij fshati, Isa Mutash, tha se ky veprim nuk ka asnjë lidhje me politikën, apo ndonjë hakmarrjeje politike, “Assesi nuk mund të ndërlidhet politika në këtë problem. Është borxhi i lartë shkaktar, që KEK-u ka vepruar kësisoj. Unë e kam mobilizuar krejt fshatin që ta zbusim këtë borxh, pas të cilit veprim ne do të kemi rrymë”, tha Mutash, i cili kishte marrë garanci edhe nga KEK-u se do të kenë energji, pasi ta paguajnë një pjesë të borxhit.
Shefi i njësisë së KEK-ut në Sharr, Ymri Skeraj, njoftoi se Bellobradi e ka paguar një pjesë të borxhit dhe se është kyçur në rrjet. Sipas tij, shuma e borxhit që po i afrohet njëmilionëshit, nuk mund të tolerohet dhe se shkyçjet për këtë arsye nuk duhet të politizohen. “Është borxh i madh... Askush nuk mund ta toleroj këtë neglizhencë që po e bën popullata, e cila, po të ishte e interesuar, do ta shlyente atë”, tha Skeraj. /b. beqaj