Serbia institucionalizohet edhe në Gorë


Sharr, 15 dhjetor 2007 - Një zyrë për vetëqeverisje lokale, siç e quajnë institucionet serbe, është hapur këto ditë në trevën e Gorës së Sharrit. Sipas asaj që u ka deklaruar mediave serbe koordinatori i kësaj zyre, Abdi Alia, qëllimi i hapjes së kësaj dege të qeverisë së Serbisë në Gorë, është që ky shtet t’i mbrojë të drejtat e qytetarëve goranë. “Kjo zyrë ka rëndësi të madhe për popullatën gorane, sepse qytetarët kanë një adresë se ku t’i zgjidhin problemet e tyre përmes institucioneve të republikës së Serbisë. Këtu do të funksionoj Zyra e Punësimit, ajo për çështjet Sociale, Ofiqaria dhe Kryqi i Kuq. Këto shërbime do të kryhen tash për tash, por që shpresojmë se në të ardhmen do të zgjerohen aktivitetet e kësaj zyre”, u ka thënë Alia mediave serbe.
Shefi i kësaj zyre të qeverisë së Serbisë, e cila është hapur në fshatin Vraniç të Gorës, Abdi Alia, e ka falënderuar Ministrinë e Serbisë për Kosovë e Metohi, e cila u ka ndihmuar në hapjen e saj. Kjo ministri, sipas njeriut që Serbia e ka emëruar si koordinator për “komunën e Gorës”, do t’i përgjigjet çdo kërkese të goranëve që kanë të bëjnë më mirëqenien e tyre.
Nga ana tjetër, nënkryetari i partisë boshnjake nga Gora, Vatan, Sabedin Çufta, i cili në mandatin e KK-së që po skadon ushtronte postin e nënkryetarit komunal të Sharrit, thotë se partia e tyre është kundër hapjes së kësaj zyre, por që nuk dëshiron të merret me të, përderisa nuk do të zgjidhet çështja e statusit të vendit. “Sikurse që po shfrytëzohet kjo kohë e status quos, për hapjen e kësaj zyre dhe veprimeve tjera të ngjashme, ashtu edhe do të mbyllen ato, në një kohë tjetër që pritet së shpejti të vijë. Partia jonë dhe ne si pushtet lokal, gjithnjë kemi qenë kundër hapjes së institucioneve të Serbisë në trevën tonë, por asnjëherë nuk kemi dashur që t’i mbyllim ato me forcë. Fundja, kjo edhe pritet nga ne, sepse qëllimi i tyre është provokimi i institucioneve legale dhe popullatës shqiptare këtu”, tha Çufta.
Tentimet tona që të kontaktojmë me zyrtarin e kësaj zyre ishin të kota, sepse askush nuk gjendej në “vendin e punës” edhe pse në mediat serbe kanë deklaruar se, pothuajse e tërë administrata qeveritare e Serbisë, do të ushtrohet në këtë zyrë. /b. beqaj