Sharr, 23 dhjetor 2007 - Sikur të ekzistonte demokracia e vërtetë në sistemin zgjedhor kosovar, nënkryetari i degës së Aleancës Kosova e Re (AKR) në Sharr, gorani Rexhep Sejdillar, do të bëhej prijës i këtij minoriteti. Ai në zgjedhjet e nëntorit ka fituar 2400 vota, e që moralisht konsiderohet fitues i këtyre zgjedhjeve. Megjithatë, për shkak se është angazhuar në një parti të madhe shqiptare, ai do të mbetet jashtë çdo përfshirje në institucione. Vetë Sejdillar thotë se ndihet i shkelur nga sistemi zgjedhor që
I vetëdijshëm se “faji” ekziston në faktin që është përfshirë në një parti të madhe shqiptare dhe jo në ndonjërën nga partitë e minoritetit që i takon, Sejdillar nuk pajtohet me rregulloret, të cilat, siç thotë, i shkelin të gjitha normat demokratike. “Pavarësisht kësaj, vet fakti i 20 vendeve të rezervuara dhe përqindja e garantuar për femrat, bie ndesh me sistemin e listave të hapura. Listat e hapura nuk njohin gjini apo përkatësi nacionale, por vetëm numrin e votave. Kjo që po aplikohet te ne është sistem i jashtëzakonshëm, të cilin asnjëra nga këto shtetet që po na e imponojnë neve, nuk e aplikon në vendin e vet”, thotë Sejdillar, duke kritikuar Iniciativën Qytetare të Gorës (GIG), të cilën e konsideron si subjekt që po u shkakton dëm, jo vetëm shqiptarëve, jo vetëm statusit, por edhe vetë minoritetit që i përket. “Edhe unë jam goran, sikurse Mursel Halili i GIG-ut, por si qëllim e kam integrimin e popullatës sime në shoqërinë e re kosovare. Fatkeqësisht, këta njerëz po privilegjohen edhe nga ndërkombëtarët edhe nga institucionet vendore. Shpresoj se në të ardhmen do të sqarohen gjërat në vendin tonë”, përfundon nënkryetari i degës së AKR-së në Sharr, Rexhep Sejdillar. /b. beqaj