Jenuzi, kryetar i të gjithëve
Sharr, 14 dhjetor 2007 - Salim Jenuzi, kryetar i degës së PDK-së në Sharr, i cili edhe në balotazh ka arritur që ta sfidoj kryetarin e deritashëm të Sharrit, Halim Shemsidinin, në takimin e parë me media, i ka falënderuar qytetarët e kësaj komune, të cilët, sipas tij, dëshmuan kulturë të lartë demokratike dhe tolerancë gjatë gjithë procesit zgjedhor. “Falënderoj të gjithë votuesit, pavarësisht se kujt ia kanë dhënë votën, sepse unë do të jem kryetar i të gjithëve. Vetëm me përkrahjen e plotë të popullatës, do të mund t’i realizoj objektivat, të cilat ia kam parashtruar vetes”, tha Jenuzi, duke shtuar se e kishte pritur fitoren e PDK-së në të tria nivelet zgjedhore. “Jo pse jam parashikues i mirë, por se është vërejtur në popullatë se ata ishin molisur nga premtimet boshe për një të ardhme më të mirë, ndërkohë që zhyteshin përditë e më tepër në varfëri të skajshme”, tha Jenizi. Ai ka premtuar se tani e tutje qytetarët e kësaj komune nuk do të jenë të dalluar sipas përkatësisë partiake. “Gjithnjë do të jem në shërbim të tyre, duke u angazhuar vazhdimisht për të krijuar një jetë më të mirë për ta. Gjatë fushatës nuk kam dhënë premtime boshe, të cilat është e pamundur që të realizohen, por kam premtuar se do të angazhohem me tërë qenien time, për t’i realizuar të gjitha projektet që realisht mund të realizohen gjatë këtij mandati. Premtimet e mia i kam mbështetur edhe në përkrahjen që do ta kemi nga një kryeministër i aftë dhe energjik, i cili pritet që të formojë një qeveri funksionale, e cila mund të bëjë shumë për të përmirësuar pozitën tejet të rëndë për qytetarët e vendit”, ka premtuar Jenuzi. Sipas tij, gjatë shtatë vjetëve të shkuara, Qeveria e Kosovës i ka ndarë buxhet Sharrit, vetëm për 33 mijë banorë, ndërkaq vetëm në listat e votuesve për zgjedhjet që sapo përfunduan, kanë figuruar mbi 33 mijë banorë. Duke komentuar marrëdhëniet me rivalët politikë në të ardhmen, Jenuzi nuk ka dashur as të flasë për një gjë të tillë. “Qytetarët më njohin si njeri që nuk merrem me thashetheme, njollosje apo edhe fërkime politike me partitë tjera. Tani do të kem punë shumë më të rëndësishme se sa të merrem me gjëra të tilla periferike. Unë presë që opozita të jetë e mirëfilltë, sikurse në të gjitha vendet demokratike. Ajo me rolin e saj konstruktiv, mund t’i evitoj lëshimet apo edhe gabimet tona. Kjo do të na ndihmojë shumë për të ecur përpara”, ka thënë në fund kryetari i ri i Sharrit, Salim Jenuzi, i cili i ka falënderuar edhe mediat dhe gazetarët nga kjo komunë, për, siç u shpreh, korrektësi në pasqyrimin e gjendjes reale gjatë fushatës zgjedhore. “Ndaj gazetarëve do të kem respekt të veçantë, ngase me shkrimet e tyre objektive, ata mund t’i ndihmojnë proceseve pozitive, si dhe luftimit të dukurive negative, gjë që është edhe qëllimi ynë i përbashkët”, ka thënë në fund kryetari i ri i Sharrit, Salim Jenuzi. /b. beqaj