Salim Jenuzi zgjidhet kryetar i Sharrit


Sharr, 09 dhjetor 2007 - Qyteza e Sharrit ka bubulluar nga “lodrat” dhe curlet opojane, të shtunën mbrëma deri në mesnatë, duke festuar fitoren për kryetar komune të kandidatit të PDK-së, Salim Jenuzi. Gjatë votimit të së shtunës në balotazh për kryetar komune, midis kryetarit aktual, Halim Shemsidini, nga LDK-ja dhe liderit të degës së PDK-së, Salim Jenuzit, nuk është shënuar asnjë incident. Të gjitha vendvotimet e kësaj komune, gjithsejtë 23, janë hapur me kohë, sikurse që edhe janë mbyllur me kohë.
Sipas të dhënave që dalin nga shtabi zgjedhor i PDK-së, kandidati i kësaj partie, Salim Jenuzi, ka arritur fitore kundrejt Shemsidinit, me një diferencë solide votash. Avni Nebiu, kryetar i këtij shtabi, tha se kandidati i tyre ka fituar me mbi një mijë vota diferencë kundrejt Shemsidinit. “Nga, diç më tepër se dhjetë mijë votues, kandidati jonë ka marrë 5558 vota. Gjithsejtë 1060 vota më shumë se kryetari i deritashëm, Halim Shemsidini”, tha Nebiu, i cili e ka përgëzuar elektoratin e tij, i cili, sipas tij, ka ditur se si ta festoj këtë fitore, sikurse që ka ditur edhe të votoj me dinjitet, pa ndonjë incident. Edhe rezultatet preliminare që ka dhënë KKZ-ja, tregojnë se kandidati i PDK-së ka shënuar fitore në raundin e dytë të garës për kryetar komune. Sipas këtyre të dhënave, kandidati i PDK-së ka marrë 54.8% të votave, ndërsa kandidati i LDK-së 45.2%, nga gjithsejtë 10.203 vota të vlefshme. Raporti i KKZ-së, njëherësh, bën me dije se në këtë komunë kanë marrë pjesë 31.3% të votuesve me të drejtë vote.
Nga ana tjetër, asnjë e dhënë nuk është publikuar nga shtabi zgjedhor i LDK-së, e që në publik komentohet si pranim i humbjes, por në heshtje.
Ndryshe, shumëkush ka pritur që Shemsidini i LDK-së të kaloj që në raundin e parë, por ai, jo vetëm që nuk kaloi, por në raundin e parë me 32.4% të votave është radhitur i dyti, pas Jenuzit, i cili ka fituar 40% të votave të elektoratit të Sharrit. /b. beqaj