Partitë serbe ende marrin vota nga goranët!


Sharr, 25 nëntor 2007 - Ndonëse goranët janë popullatë e vogël numerikisht dhe të ndarë në disa kombësi, ku secila ka edhe subjektin partiak, disa prej tyre nuk kanë hezituar që tu japin vota edhe partive serbe, në zgjedhjet që u zhvilluan këtë muaj. Gjithsejtë tri parti gorane kanë konkurruar në këto zgjedhje, e që secila, së paku nga një delegat do ta fusë në KK të Sharrit. Partia e Sadik Idrizit, ministër aktual i Shëndetësisë... “Vatan”, Iniciativa Qytetare e Gorës (GIG) dhe Partia e Aksionit Demokratik (SDA), kanë konkurruar në këto zgjedhje, duke shprehur rivalitet se cila do ta përfaqësoj më denjësisht këtë popullatë që është ndarë në dy etnitete (goranë dhe boshnjakë). Megjithatë, edhe kësaj radhe këtyre partive u kanë ikur ca vota në partitë serbe, e që për ta janë shumë.
Kryetari i Partisë Popullore Serbe (SNS), Mihailo Shçepanoviq, ka deklaruar për publik se, në bazë të vëzhguesve të vet, subjekt i tij politik ka fituar një numër votash edhe në trevën e Gorës së Sharrit. Sipas të dhënave që thotë se i posedon, Shçepanoviq ka deklaruar se partia e tij ka fituar në Gorë 27 vota, ndërkaq në Prizren vetëm një votë.
Pohimet e Shçepanoviqit vërtetohen edhe në raportin e KKZ-së në Sharr, sipas të cilit kjo parti ka fituar 27 vota në këtë komunë.
Përpos kësaj partie, sipas raportit të KKZ-së, në këtë komunë kanë marrë vota edhe partitë tjera serbe. Partia e Pavarur Liberale (SLS) ka marrë gjithsejtë 86 vota. Partia Demokratike Serbe për Kosovë e Metohi (SDSKiM) ka marrë 25 vota, ndërkaq Partia Serbe e Kosovës dhe Metohisë (SKMS) ka marrë 16 vota. Lidhja e Socialdemokratëve të Pavarur të Kosovës dhe Metohisë (SNSDKiM) ka marrë 6 vota. Nga pesë vota kanë marrë edhe tri parti tjera serbe, ajo e drejtuar nga Bogolub Kariq, subjekti “Mbijetesa e Pomoravles së Kosovës” (OKP) dhe Demokracia e Re (ND). Gjithsejtë 175 vota kanë marrë partitë serbe në këtë trevë, e që politikanët e këtushëm i konsiderojnë shumë, bazuar në numrin e kësaj popullate të vogël. Ministri i Shëndetësisë dhe drejtuesi i partisë “Vatan” nga Gora, Sadik Idrizi, thotë se ky numër votash që u është dhënë partive serbe, ndonëse është i madh për popullatën e vogël të Gorës, megjithatë nuk është aq sa ka qenë në zgjedhjet e kaluara. “Bazuar në angazhimin që po bën Serbia në Gorë, si në aspektin propagandistik, ashtu edhe në derdhjen e parave, sidomos për mësimdhënësit, ky numër nuk është edhe aq i madh. Megjithatë, e mira është se në këto zgjedhje mori pjesë subjekti nga treva jonë që konsiderohet të jetë mbështetës i Serbisë, GIG-u. Fundja, ne si subjekt kemi dalë më të mirët në këto zgjedhje, e që kjo fletë se i kemi sfiduar të gjitha tentimet për ta ruajtur ndikimin e Serbisë në Gorë”, tha Idrizi.
Sa për ilustrim, Balli Kombëtar (BK), në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës ka marrë 36 vota nga kjo komunë, ndërsa Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK) ka marrë vetëm 18 vota. /b. beqaj