Sharr, 23 dhjetor 2007 - Pasi janë grumbulluar 260 euro shpenzime telefoni, për dy muaj punë që ka bërë Komisioni Komunal i Zgjedhjeve (KKZ) në Sharr, ata kanë ra në hall se si t’i paguajnë këto shpenzime, në mënyrë që mos të mbeten pa telefon. Zyrtarët nga KKZ-ja thonë se kryeshefi i ekzekutivit komunal ua ka pranuar këtë shumë dhe se përgjegjësit financiar nga komuna pritej që t’i derdhin mjetet, por këta të fundit nuk po e bëjnë këtë.
I kontaktuar nga gazeta, ky i fundit thotë se asnjë problem nuk ekziston në këtë çështje, por se mungesa e mjeteve dhe disa urdhëresa, në lidhje me çështjet financiare, kanë bërë që kjo çështje të bëhet temë për diskutim. “Ne nuk kemi kontestuar shumën apo edhe raportet në relacionin Komunë-KKZ, por u kemi thënë se mungojnë mjetet për këtë destinacion. Është edhe pengesa tjetër, e cila na i ndalon veprimet që kanë të bëjnë me financa, në këtë periudhë kur priten ndryshime në pushtet”, tha Ahmet Bahtiari, për të shtuar se kjo pagesë do të bëhet, me gjasë, vitin e ardhshëm fiskal. “Me siguri se faturat e tyre duhet të presin vitin 2008, sepse këtë vit çdo gjë ka marrë fund, sa i përket destinimit të mjeteve financiare”, thotë Bahtiari.
Sido që të jetë, zgjedhjet që sapo përfunduan, e që në këtë komunë sollën befasi dhe rezultate të papritura, si duket do të pasohen edhe me probleme të tjera financiare, ku shumica e vëzhguesve që janë emëruar nga partitë politike, ankohen se nuk u janë paguar honorarët e premtuara. /b. beqaj