Sharr, 02 nëntor 2007 - Gati dy javë nuk kanë mundur të punojnë mjekët në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Llopushnik të Opojës, për shkak se KEK-u ua ka ndërprerë rrymën. Pushim të paplanifikuar kanë pas edhe punonjësit e Zyrës së Vendit, të cilët janë të vendosur në këtë objekt shëndetësor.
Ndërkaq, drejtori komunal i Shëndetësisë, Mynafir Beshiri, tha se nuk është as faji i tyre, por deri te kjo gjendje ka ardhur si pasojë e keqmenaxhimit që po bën KEK-u me faturat e tyre. “Unë kam tri fatura dhe që të tria janë në emër të këtij institucioni shëndetësorë. Deri më tash kam paguar secilën faturë, por nuk e kam ditur se ato janë me numra të ndryshëm regjistrimi, por që figuronte emri i QMF-së në Llopushnik. Së voni kemi pranuar një faturë, ku figuron se i kemi borxh KEK-ut mbi 1200 €. Kjo edhe ishte arsyeja që na ndërprenë rrymën. Tash kërkojmë që të rishikohen të gjitha faturat, për të parë se kujt i kemi paguar rrymë rregullisht”, tha Beshiri.
I kontaktuar nga gazeta, shefi i Njësisë së KEK-ut në Sharr, Ymri Skeraj, tha se nuk është kompetencë e tij që të merret me këtë çështje, por këtë e menaxhon Prizreni. “Ne nuk merremi me këtë çështje, por është Prizreni ai që jep urdhra për shkyçjen nga rrjeti të borxhlinjve”, tha Skeraj, i cili mohon të ketë ngatërruar ndonjë gjë në lidhje me faturat e QMF-së në Llopushnik. Sipas tij, ky institucion shëndetësor posedon tre njehsorë elektrik, prandaj edhe i kanë tri fatura. “Ata janë posedues të këtyre njehsorëve, sepse kur është ndërtuar objekti i ri, nuk është ç’lajmëruar njehsori i objektit të vjetër. Zaten, ky borxh është pikërisht i objektit të ri, njehsorin e të cilit që nga ndërtimi nuk e kanë regjistruar dhe borxhi është grumbulluar. Megjithatë, për hir të funksionalitetit të këtij institucioni, KEK-u i Prizrenit i ka kyçur sërish në rrjet, edhe pse borxhi ende nuk është paguar”, tha Skeraj.
Edhe drejtori i Administratës komunale, Hilmi Dauti, e pranon se faji qëndron tek Drejtoria e Shëndetësisë, e cila nuk i ka qartësuar gjërat, që kur e kanë ndërtuar objektin e ri të QMF-së në Llopushnik. Sipas tij, edhe pse ndërtesa e vjetër e këtij objekti nuk shfrytëzohet, njehsori elektrik ka mbetur i regjistruar. “Sido që të jetë, u desh të intervenoj personalisht në KEK që ta kyçin rrymën, e pastaj të gjendet një zgjidhje, sepse dy javë nuk është punuar në këtë objekt, ku edhe janë punëtorët e Zyrës së Vendit”, tha Dauti. /b. beqaj