Sharr, 03 nëntor 2007 - Partia Demokratike e Kosovës, të premten e hapi fushatën parazgjedhore në Sharr, duke premtuar investime në turizëm, bujqësi dhe blegtori.
Bartësi i listës për këshilltarë komunalë, Mitat Fejza, zgjedhjet e 17 nëntorit i ka cilësuar si “treni i fundit” për të ndryshuar jetën e qytetarëve të Sharrit për të mirë. Ai i ka përmendur disa nga shkeljet më flagrante që pushteti aktual u ka bërë ligjeve, ndërkohë që ka premtuar më shumë disiplinë, nëse pushteti komunal i Sharrit do të udhëhiqet nga PDK-ja. “Në listën tonë i keni njerëzit më të devotshëm që ka treva jonë, prandaj votoni për ta që të ndërpritet avazi i gjertanishëm i të qenit superior kur je në pushtet. Ne nuk do të qeverisim me ju, por ju jeni ata që do të qeverisni me ne”, ka thënë Fejza.
Për t’i nderuar simpatizantët e kësaj partie në Sharr, të pranishëm në sallën përplot me njerëz, qenë edhe Xhavit Haliti, Zafir Berisha dhe udhëheqës të tjerë të PDK-së. Që të gjithë i janë drejtuar elektoratit të Sharrit, duke i ftuar që të votojnë masovisht për partinë e tyre, ngase, sipas tyre, është koha e fundit që t’i sjellin ndryshim pozitiv Kosovës. /b. beqaj