PD-ja e hapi fushatën parazgjedhore në Sharr


Sharr, 01 nëntor 2007 - Duke iu lutur zotit për paqe dhe drejtësi, Partia e Drejtësisë (PD) ka hapur të mërkurën fushatën parazgjedhore në Sharr, duke mos premtuar asgjë nga investimet kapitale, por vetëm kapital njerëzor. Sipas kreut të kësaj partie, Sylejman Çerkezi, PD-ja nuk do të japë premtime boshe për investime megalomane, por vetëm premton njerëz të pastër dhe të aftë në vendet kyçe të pushtetit. “U bënë tetë vjet që gënjehemi, por si duket ne po sillemi sipas proverbit ‘e di se po më gënjen, por po ma kënda se po më gënjen bukur’. Jeni dëshmitarë se pavarësia e Kosovës po na vjen për çdo ditë nga goja e krerëve në pushtet, por ajo në fakt nuk është ashtu. Edhe ata e dinë se për statusin nuk po i pyet askush”, tha Çerkezi, duke e prezantuar humoristin e mirënjohur kosovar, Ibrahim Krajkova – Leci, si ekspert i cili do të dijë se si ta zhvilloj bujqësinë dhe blegtorinë e Sharrit. Vetë Krajkova u tregoi sharrjanëve ardhjen e tij në Sharr, më 1979, si agronom, ku është mahnitur me potencialet që ka kjo komunë për zhvillimin e agrikulturës. “Që nga ajo kohë nuk qenka bërë asgjë e madhe, sa ofron kjo treva juaj. Jam i bindur se me zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë, komuna juaj do të jetë ndër më të pasurat. Por, për të arritur deri këtu, keni nevojë për njerëz të sinqertë dhe të pa korruptuar”, tha Krajkova.
Për ta promovuar programin e kësaj partie, në Sharr qenë të pranishëm edhe Ferid Agani, Halil Fejziu dhe Naser Bresa nga Partia Balli Kombëtar Demokratik, parti kjo që është futur në bashkësi më PD-në.
Që të gjithë premtuan se programi i PD-së ofron sinqeritet, drejtësi dhe pastërti, por jo edhe premtime boshe, sa për ta joshur elektoratin që t’ua qesë votën. /b. beqaj