Sërish dështoi seanca e KK të Sharrit


Sharr, 27 tetor 2007 - Ka dështuar edhe të enjten mbajtja e seancës së 50-të e Kuvendit Komunal të Sharrit, në të cilën ishte paraparë rishqyrtimi i statusit të një parcele shoqërore me numër kadastre 905, e cila ndodhet në qendër të Sharrit. Në këtë seancë parashihej edhe miratimi i një vendimi në lidhje me këtë parcelë dhe shqyrtimi dhe miratimi i buxhetit komunal për vitin 2008, bazuar në ndryshimet e buxhetit për arsim. Opozita në Kuvend debatin në këto pika e ka cilësuar jashtëligjor, pasi kohë më parë zv.kryeministri Lutfi Haziri u kishte sugjeruar pushteteve lokale që të mos merren vendime të kësaj natyre. Deputetët e opozitës kishin refuzuar shqyrtimin e këtyre çështjeve në seancën e së martës, duke mos u paraqitur fare në Kuvend, sikur vepruan edhe të enjten.
Salim Jonuzi, kryetar i Degës së PDKsë, njëherësh edhe kandidat për kryetar komune në zgjedhjet e nëntorit, tha se nuk e kanë ndërmend të marrin pjesë në veprimet që pushtetarët i bëjnë sa për fushatë dhe jo për ndonjë të mirë për qytetarët. "Delegatët tanë nuk do të bëhen pjesëmarrës të vendimeve, që bien ndesh me sugjerimet e institucioneve qendrore të vendit", tha Jonuzi. Ai ka shprehur dyshimin se ky nxitim për të marrë vendime të tilla mund të ketë lidhje me interesa të ngushta të pushtetarëve.
Përpos këshilltarëve të opozitës, në seancën e së enjtes u vërejt edhe mungesa e këshilltarëve të partisë "Vatan", të cilët janë në koalicion me LDK-në. Burime të gazetës mësojnë se partia "Vatan" ka qenë kundër ndonjë vendimi që do t'ia ndryshonte statusin kësaj parcele, në të cilën disa zejtarë nga Gora kanë lokale afariste. "Nuk jemi budallenj që të votojmë kundër interesave të afaristëve tanë", tha ky burim, në kushte anonimiteti.
Njëkohësisht, gazeta ka kuptuar se disa këshilltarë të LDK-së në pushtet, në çastin e fundit i janë bashkëngjitur Lidhjes Demokratike të Dardanisë (LDD), e cila gjithashtu e ka përshëndetur veprimin e këshilltarëve që mos të marrin pjesë në seancë.
Kreu i degës së kësaj partie në Sharr, Vahidin Halili, i cili kandidon për kryetar komune në zgjedhjet e 17 nëntorit, tha se kjo parti e respekton vullnetin dhe qëndrimet e këshilltarëve që e refuzuan seancën. Ai nuk ka dhënë përgjigje të prerë, nëse tre nga këshilltarët e LDK-së kanë kaluar në LDD. "Ne e respektojmë vullnetin e secilit këshilltar, ndërkohë që dyert e partisë janë të hapura për secilin", tha Halili. /b. beqaj