Sharr, 29 tetor 2007 - Për të dytën herë në jetën e tij, kreu i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, të shtunën qëndroi në Sharr, ku ka identifikuar një sërë problemesh, me të cilat ballafaqohet popullata e kësaj komune të varfër.
Pacolli ka përmendur edhe një projekt, i cili me dekada ka mbetur vetëm si ëndërr për banorët e kësaj ane, ndërtimi i magjistrales drejtë Tetovës, e cila do t’ia hiqte kësaj komune epitetin e të qenit “zorrë qorre”.
Në hapjen e fushatës parazgjedhore të AKR-së në Sharr, Pacolli ka premtuar kthimin e namit të dikurshëm që kishte kjo trevë për nga prodhimet ushqimore dhe ekologjike, jo vetëm tek ne por edhe në rajon. “Ne do ta kthejmë traditën që kishte dikur kjo trevë, duke investuar në blegtori dhe bujqësi, sepse Kosova ka nevojë për prodhimet tuaja”, tha Pacolli.
I ndërprerë shpeshherë nga duartrokitjet në sallë, Pacolli tha se është i vetëdijshëm për premtimet që po i jep dhe koston e tyre, por se që të gjithave do t’u qëndroj karshi, duke i realizuar edhe në vepër. “Besoni se Kosova është vonuar shumë, prandaj duhet të ecim me hapa të shpejtë për ta zënë ekonominë e rajonit. Krejt çka po ju premtoj, jam i gatshëm edhe t’i realizoj, sepse kam projekte të gatshme për secilin premtim që po e jap para jush”, tha Pacolli.
Para elektoratit të Sharrit, Pacolli ka promovuar kandidatët për këshilltarë komunalë dhe kandidatin për kryetar komune. Ky i fundit u zotua se do të punojë me përkushtim për popullatën dhe se asnjëri nga premtimet e dhëna nuk është përrallë por realitet. “Nuk jam inkuadruar kot së koti në këtë parti, por më ka joshur programi i saj. Secilin premtim që po ua jap, nuk është përrallë por realitet, sepse e kam shpinën e fortë dhe mund t’i realizoj”, tha profesori Ismet Lecaj, pretendent për kryetar komune. /b. beqaj