PDK-ja ndihet më e fuqishme se kurrë më parë
Sharr, 27 tetor 2007 - Dega e PDK-së në Sharr, në mbledhjen që ka zhvilluar me Shtabin zgjedhor dhe kandidatët për këshilltarë komunalë që do të garojnë më 17 nëntor, ka dalë me konstatimin se ky subjekt politik mbetët më i fuqishëm se kurrë më parë në këtë komunë. Avni Nebiu, sekretar i Degës dhe kryetar i Shtabit zgjedhor të PDK-së, tha se, pas kësaj mbledhje, PDK-ja është bindur se në Sharr mbetët subjekti më i përgatitur dhe më i fuqishmi në komunë “Si partia më e fuqishme, gjatë fushatës ne nuk do të bëjmë demagogji, por do të shpalosim projekte konkrete, me afate konkrete për realizimin e tyre. Demagogjia nuk ka më vend në popullatë, e cila është ngopur me to për shumë vjet. Çdo projekt do ta realizojmë në bashkëpunim me qytetarët, duke u nisur nga lagjet, fshatrat e deri tek qendra komunale, e cila deri më tash ka qenë e harruar nga pushtetarët”, tha Nebiu, duke potencuar se partia e tij do ta vazhdojë bashkëpunimin edhe me biznesin privat, por që si pushtet edhe do ta thellojë atë bashkëpunim “Edhe si opozitë kemi mbajtur lidhje të mira me ndërmarrjet private, por si pushtet ato do t’i thellojmë, duke iu ofruar infrastrukturë ligjore dhe rrugore, ndërkohë që ata do të hapin më shumë vende pune”, tha Nebiu.
Edhe kreu i kësaj partie në Sharr, Salim Jonuzi, i cili do të garoj për kryetar komune dhe bartësi i listës për këshilltarë komunalë, Mitat Fejza, premtuan se do të bëjnë ç’mosë që Sharrit njëherë e përgjithmonë t’ia kthejnë pozitën e merituar, si vend më piktoresk dhe vend ku secili do ta ketë një vend pune këtu dhe jo të mbetet kurbeti si bazë ekonomike. “Sharrin do ta bëjmë vend të pëlqyeshëm, jo vetëm nga banorët autokton, por edhe nga qytetarët tjerë, të cilët do të dëshironin që t’i kalojnë së paku pushimet në këtë vend ekologjik”, tha Jonuzi. /b. beqaj