Sharr, 25 tetor 2007 - Asnjëra nga pesë këshilltaret e Kuvendit të Sharrit nuk ka shënuar ndonjë aktivitet, apo edhe diskutuar për ndonjë çështje jetike në Kuvend, në gjashtë muajt e parë të këtij viti. I tërë aktiviteti i femrave këshilltare ka qenë ngritja e dorës në seanca, sa herë që këtë e ka bërë lideri i tyre. Këtë e ka dëshmuar monitorimi i punës së Kuvendit Komunal në periudhën janar-qershor 2007 nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).

Në bazë të raportit të KDI-së, në Kuvendin Komunal të Sharrit mesatarja më e lartë në përfshirjen e këshilltarëve në diskutime ka qenë 24 për qind. Nga 21 këshilltarë 14 prej tyre, ose 66.7 për qind, kanë ngritur për diskutim ndonjë çështje me interes të përgjithshëm, kurse vetëm një këshilltar ka bërë një propozim amendamenti.
Sipas KDI-së, gjatë periudhës janar-qershor të këtij viti, nga pesë seancat e monitoruara, nuk është regjistruar asnjë rast interpelance të Ekzekutivit para këshilltarëve, ndërkohë që vetëm dhjetë këshilltarë kanë parashtruar, së paku një pyetje direkte ose me shkrim. Koordinatori Driton Çengaj tha se vlerësimet në fletënotim janë të bazuara në informata publike dhe faktike, të marra nga vëzhgimi i drejtpërdrejtë i seancave të KK-së dhe nga takimet me zyrtarët komunalë. "Vlerësimet janë tejet të sakta dhe kjo do t'u shërbejë votuesve për zgjedhjet e nëntorit. Qytetarët e Sharrit tani kanë një pasqyrë ekzakte për të përzgjedhurit e tyre", tha Çengaj.
Vlen të theksohet se rezultate më të kënaqshme në punën e KK-së, sipas KDI-së, kanë shënuar vetëm shefat e grupeve parlamentare, ose liderët partiakë. /b. beqaj