LDK-ja hapi fushatën parazgjedhore në Sharr


Sharr, 29 tetor 2007 - Përkundër motit me shi, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka arritur të tubojë të dielën dhjetëra simpatizantë të saj në sallën e Shtëpisë së Kulturës në Sharr, ku ka hapur fushatën parazgjedhore dhe ka promovuar kandidatët e saj për të gjitha nivelet e zgjedhjeve të 17 nëntorit. Për ta mbështetur degën e LDK-së në Sharr, nga qendra kanë ardhur ministrja e Shërbimeve Publike, Melihate Tërmkolli, kryebashkiaku i Prishtinës, Ismet Beqiri, zëdhënësi i Ekipit të Unitetit, Skender Hyseni, si dhe Behxhet Brajshori e Ramë Manaj.
“Kujtoni vitin 89’ dhe votoje numrin 89”, ishte fjala e parë që u dëgjua nga moderatorja, në hapje të fushatës, ku sipas saj, Kosova deri në këtë vit ishte në robëri, por themelimi i LDK-së nisi ta nxjerr atë nga robëria “Me daljen në skenë të LDK-së, Ibrahim Rugova arrita ta njoftoj krejt botën se çka po ndodhë me Kosovën”, tha moderatorja, pas së cilës fjalën e mori kryetari i degës së kësaj partie në Sharr, Halim Shemsidini, i cili aktualisht mban postin e kryetarit komunal. Ai që në fjalën e parë e ka kërkuar votën e qytetarëve, duke shprehur bindjen se edhe kësaj radhe LDK-ja do të fitojë. “Presë votën e qytetarëve, të cilët kurrë nuk na kanë gënjyer... Jepni vota njerëzve që ju kanë nderuar me praninë e tyre këtu. Jepni votën njeriut që edhe tani e kemi deputet në Kuvendin e Kosovës, por jepni edhe të tjerëve nga pak, sepse të gjithë e përbëjnë LDK-në e Ibrahim Rugovës”, u tha Shemsidini të pranishmëve në sallë, të cilëve paraprakisht iu uroi fitoren e partisë së tij.
Nga projektet konkrete, Shemsidini ka përmendur investime në energjetikë, blegtori dhe turizëm, për të cilat tha se ka donatorë që janë të interesuar për të investuar.
Më pas fjalën e ka marrë Skender Hyseni, i cili gjithashtu ka shprehur bindjen se kjo parti do t’i fitoj zgjedhjet. “Jemi të sigurt se do t’i fitojmë zgjedhjet... Nuk ka rrugë tjetër, LDK doemos duhet t’i fitoj zgjedhjet”, tha Hyseni.
Në zgjedhjet e 17 nëntorit, LDK do të garojë për postin e kryetarit komunal, ku sërish është nominuar Halim Shemsidini, kryetar aktual i KK-së. Për deputet në Kuvendin e Kosovës, kjo parti ka nominuar Shaban Halimin, deputetin aktual, ndërsa për këshilltarë komunalë, LDK-ja ka përpiluar listën e plotë, ku disa prej të nominuarve aktualisht e gëzojnë këtë pozitë. /b. beqaj