Sharr, 01 tetor 2007 - Dega e Lidhjes Demokratike të Dardanisë (LDD) mblodhi në një darkë pune aktivistët e vet për t’i prezantuar zyrtarisht 23 kandidatët e saj për këshilltarë komunal, në garën zgjedhore të nëntorit. Kryetari dhe Kryesia e degës së LDD-ës në Sharr iu premtoi kandidatëve se do ta kenë një përkrahje te fuqishme.
I pari i këtij subjekti në Sharr, Vahidin Halili, i cili do të garoj për postin e kreut komunal, të pranishmëve u shpalosi vizionin partiak dhe planin për garën, të cilën e quajti të fortë “Gara do të jetë e fortë, por ne do të bëhemi pjesë e pushtetit të ardhshëm. Kjo nënkupton se do të sjellim ndryshime dhe jo të vazhdojmë ecurinë e pushtetit aktual, i cili edhe kur bën investime, i bën sa për të kryer punë. Çdo investim tek ne është bërë alla Halimqe”, tha Halili, duke shtuar se është i vetëdijshëm që asnjëra parti nuk do të arrij ta formoj e vetme pushtetin komunal.
I pyetur se me cilën parti do të bënin koalicion, për ta marrë pushtetin, Halili tha se ato janë plane partiake, të cilat do të merren vesh pas zgjedhjeve “Koalicioni bëhet me partitë që kanë afërsi programore me ne. Prandaj, ne do te jemi shumë të kujdesshëm në përzgjedhjen e partnerëve për koalicion, sepse partia jonë ka program shumë ambicioz dhe me data konkrete të realizimit të çdo premtimi. Ne nuk e kemi qëllim parësor pushtetin, por jemi për ndryshime. Me këtë pushtet aktual, nuk shkohet përpara”, tha Halili, duke shtuar se ai personalisht është kandidati më serioz për kryetar komune, ku prapa tij ekziston një kapital solid, e që komuna e Sharrit aktualisht nuk e ka. “Në krye të komunës nuk pretendoj të vij për t'u pasuruar, sikurse paraardhësi im, por për ta implementuar suksesin qe kam treguar si menaxhues në ndërmarrjen tonë dhe në organizatat tjera, ku unë i kam udhëhequr, si në Sindikatën e Pavarur në ‘Ballkanin’ e Therandës, i cili kishte një mijë e 700 punëtorë, LDK-në, kur i kishte 7 mijë anëtar dhe në vende të tjera udhëheqëse.
Bartësi i listës, Qamil Kolloni, u premtoi simpatizantëve se LDD-ja do të korr sukses, sepse në popullatë kanë mjaftë përkrahës “Ekziston disponimi për të ndryshuar strukturën aktuale në pushtet, prandaj edhe do të kemi sukses. Programi jonë është shumë konkret dhe plotësisht i realizueshëm. Atë që e premtojmë edhe do ta realizojmë”, tha Kolloni. /b. beqaj