Kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli, e vizitoi Sharrin


Sharr, 04 tetor 2007 - Lideri i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, gjatë vizitës së tij në Sharr, pasi është njoftuar me hallet e banorëve, e ka kritikuar të martën Ekipin e Unitetit për kryeneçësi. Ai tha se një sjellje e këtillë e këtij ekipi e ka zvarritur edhe procesin e pavarësimit të Kosovës. "Ata nuk e pranojnë asnjë këshillë nga dikush që nuk është pjesë e tyre. Disa herë kam intervenuar dhe kam kërkuar që t'i përfillin sugjerimet e mia, por kjo nuk është bërë", tha Pacolli, duke i treguar dy shembuj: "Rasti i parë ishte kur kryeministri Çeku udhëtoi në Rusi. Unë e luta që të presë nja dy ditë, përderisa ta përgatisja terrenin që atje të pritej me nderimet më të larta shtetërore, por ai nuk pranoi. Prandaj, në Rusi u prit nga disa pijanecë, e jo si kryeministër. Rasti tjetër ishte në New York, kur unë shtrova një koktej të thjeshtë dhe mblodha rreth vetes mbi dhjetë kryetarë e ministra të shteteve me ndikim, para se delegacionet të takoheshin sy më sy, ndërsa Ekipi i Unitetit u takua vetëm me një kryeministër, Sali Berishën, edhe atë pasi përfundoi çdo gjë në takimin e shumëpritur Kosovë-Serbi", sqaroi Pacolli.
Pacolli në Sharr u njoftua me hallet e banorëve, infrastrukturën aktuale dhe atë që ishte para luftës, si dhe me potencialet që ka kjo komunë për zhvillimin ekonomik. Lideri i AKR-së, në mënyrë që, siç është shprehur ai, të pengohet braktisja e vendlindjes nga të rinjtë, tha se nuk është ajo se komuna ka buxhet të vogël dhe nuk mund t'i plotësojë nevojat e qytetarëve për infrastrukturë të mirëfilltë, por, sipas tij, është evidente se kudo punohet pa strategji të shëndoshë dhe pa vullnet të sinqertë. Ai u ka premtuar banorëve të Sharrit se do të merret me zhvillimin ekonomik hap pas hapi, por që këta hapa, sipas tij, do të jenë të qëndrueshëm."Hapi i parë është të studiohen mundësitë dhe potencialet që ofron ky rajon, pastaj vijnë hapat tjerë, siç janë burimet financiare dhe punët me kriter".
Lideri i AKR-së tha se edhe afaristët privatë nuk po veprojnë me strategji, por vetëm po kopjohen mes veti. "Kopjimi i biznesit nuk sjell sukses, sepse ndërtohet në bazë të asaj çka sheh syri dhe ta merr mendja. Analiza e thuktë për fillimin e një biznesi e ka suksesin e garantuar, sepse gjatë analizës krijohet baza e fortë dhe e qëndrueshme".
Kreu i AKR-së, pasi ka vendosur kurora me lule pranë varrezave të dëshmorëve në Sharr, e ka vizituar edhe fshatin Bresanë të Opojës, ku është takuar me qytetarë, për t'i dëgjuar hallet e tyre dhe për ta shpalosur vizionin e tij, si pretendent për ta marrë qeverisjen e vendit. Ai u ka premtuar qytetarëve se, në qeveri apo si individ, do të punojë për Kosovën. "Jo se kam qëllime përfitimi, sepse i kam të gjitha, por kthimi im në Kosovë ka për qëllim shkrirjen e potencialit, të cilin me dekada e kam akumuluar jashtë vendit".
Pacolli tha se investimi i tij kryesor në anën e Sharrit do të realizohet në bujqësi, blegtori dhe turizëm. Pastaj, investimi në grumbullimin dhe përpunimin e bimëve mjekuese, që ka shumë në këto anë. “Të gjitha këto hapin vende pune, me çka rritet edhe ekonomia familjare".
Pyetjes nëse Rusia po vjen duke u forcuar, prandaj edhe po e pengon pavarësinë e Kosovës, lideri i AKR-së iu përgjigj me konstatimin e kundërt. "Rusia gjithnjë e me tepër po vjen duke u dobësuar, nëse shikohet në shtylla të trasha. Zgjedhjet e fundit në Ukrainë, ku populli i këtij vendi votoi për properëndimorët, Rusisë ia thyen një krah. Pikërisht në Ukrainë ishte baza e raketave me rreze të gjata veprimi, me kokën e kthyer kah Evropa. Tani ato koka pritet të kthehen kah Rusia, prandaj ajo mundohet të tregojë fuqi, kur është në pyetje Kosova, jo pse ka interes në Kosovë apo Serbi", tha Pacolli, duke e komentuar edhe arsyen pse punon në këtë vend.
"Atje punoj, ua marr paratë, të cilat vijnë direkt në Kosovë. Nuk ka arsye tjetër pse punoj atje, sepse atje e kam gjetur mundësinë për të punuar. Por, atje nuk bëj investime kapitale". /b. beqaj