Vazhdonë tradita !


Sharr, 26 shtator 2007 - Pasi është dërrmuar gjatë dimrit me kripë dhe verës nga lëvizjet e shumta të automjeteve, një firmë tiranase ka bërë arnimin e magjistrales Zhur – Sharr, por që nuk i ka shmangur telashet e ngasësve të automjeteve.
Këta të fundit thonë se arnimi është kryer sa për të bërë punë dhe për të përfituar nga ky tender, sepse kjo rrugë, sidomos aksi Trokan-Sharr, ka nevojë për meremetim detaj, ngase e tëra është dëmtuar tej mase.
Ndonëse pronarët e automjeteve paguajnë taksën prej 40 eurosh, të përcaktuar nga qeveria, si dhe kohët e fundit edhe taksën komunale prej 10 eurosh, ende nuk e kanë “shijuar” rezultatin e këtij haraçi.
Që nga lufta e fundit, askush nuk e ka pa të arsyeshme aftësimin e dhjetë kilometrave të kësaj magjistraleje, e cila tashme i ngjan një rruge lokale, me plotë gropa dhe shembje, e që edhe arnimet e fundit nuk i kanë mënjanuar ato.
Vitet e fundit, kjo magjistrale gjatë vjeshtës arnohet, dimrit trazohet asfalti nga kripa, ndërsa ngasësit mezi u shmangen gropave gjatë tërë pranverës dhe verës. /foto & teksti: b. beqaj