Sharr, 05 tetor 2007 - Për gjashtë familjet e dëshmorëve nga Sharri, të enjten kryesia e degës së AKR-së në Sharr ka ndarë nga njëqind euro, si ndihmë për ta kremtuar më mirë festën e Bajramit. Sekretari i degës së kësaj partie, Mujdin Jusufi, tha se kjo ndihmë simbolike vjen direkt nga kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli, i cili gjatë vizitës që i bëri kësaj treve të martën, bisedoi edhe me familjarët e dëshmorëve, të cilëve u premtoi përkrahje “Pasi u takua me familjarët e dëshmorëve, kryetari Pacolli ka mësuar se këto familje nuk gëzojnë përkrahjen e merituar nga institucionet, prandaj është zotuar se do t’i mbështesë ata”, tha Jusufi.
Sylejman Sylejmani, babai i dëshmorit Fetah Sylejmani, i tha “Lajmit” se vizitën e Pacollit tek varri i djalit të tij, e konsideron si gjestin më të shtrenjtë që ka bërë ky njeri “Më shumë e kam ndier për nderë, që Pacolli u përkul para varrit të Fatahut dhe shokëve të tij, se sa kjo ndihmë financiare. Por, ky ishte premtimi që na dha të martën, për të na lehtësuar kremtimin e festës së Bajramit”, tha Sylejmani, i cili është njëkohësisht edhe prijësi i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve në Sharr.
Mendim të njëjtë kishte edhe vëllai i dëshmorit Ylmi Bahtiari, Fadili, i cili u zotua se do të punoj edhe në të ardhmen, që treva e Sharrit të fitoj dinjitetin e humbur për dëshmorët “Ata janë harruar që moti... Askush nuk e vranë mendjen për ta. Pacolli meriton çdo lëvdatë që u kujtua për ne, edhe pse nuk është ndonjë pushtetar”, tha Bahtiari.
Kuvertat me nga njëqind euro, familjarëve ua ndau anëtarja e kryesisë së degës së AKR-së në Sharr, Sadie Xhimshiti, e cila u premtoi atyre se mbështetja e këtij subjekti politik nuk do të ngelet me kaq “Nuk është ky veprim, ku prapa tij fshihet ndonjë interes, por është porosi që na la kryetari Pacolli, që ndaj këtyre familjarëve të kemi përkujdesje më të madhe”, tha Xhimshiti.
Të kënaqur që festa e Bajramit nuk do t’i zër ngushtë, familjarët e dëshmorëve shprehën mirënjohje për Behgjet Pacollin, ndërkohë që ankoheshin për harresën nga institucionet. /b. beqaj