Krerët e LDD-së në Sharr, të bindur se janë më të mirët


Sharr, 20 tetor 2007 - Krerët e degës së LDD-së në Sharr, thonë se ndihen më të fortë dhe më të përgatitur se cilido subjekt tjetër politik në komunën e Sharrit. Sipas tyre, me aktivizimin e LDD-së, skena politike në Sharr është bërë më dinamike se kurrë më parë. Duke iu referuar aktivitetit partiak në terren, kryetari i degës, Vahidin Halili, tha se ata e kanë përfunduar fazën e parë të takimeve me elektoratin nëpër nëndegët e partisë dhe se janë bindur që ky subjekt ka një simpati të pëlqyeshme në popullatë. “Kemi vizituar pothuajse të gjitha nëndegët dhe, në bazë të një sondazhi që kemi bërë, vlerësohet se ne mund të presim fitore të sigurt”, tha Halili, duke e bazuar këtë bindje në objektivat dhe platformën partiake që kanë përpiluar më herët, ndërkohë që të mërkurën e kanë harmonizuar platformën partiake në nivel vendi me specifikat që kërkon platforma zgjedhore në komunën e Sharrit. “Në listë kemi kandidatë që gëzojnë respektin nga shumica e popullatës. Ata janë njerëz me autoritet të pakontestueshëm. Ndërkaq, kandidati për postin e kreut të komunës, Vahidin Halili, është personaliteti më i qëlluar që ka mundësi ta votojë elektorati”, ka thënë nënkryetari i LDD-së, Qamil Kolloni, duke shtuar se subjekti i tyre është tejet transparent, ku mund të bisedohet haptazi për të gjitha hallet dhe problemet që ka secili qytetar “Për dallim nga subjektet tjera politike, ne që nga dita e parë i kemi publikuar listat kandiduese. Kjo, sepse nuk jemi frikësuar nga konkurrentët tjerë. Një gjë të tillë kanë hezituar ta bëjnë subjektet tjera politike, sepse kanë pasur mjaft probleme rreth përpilimit të listave, për shkak të interesave të tyre të brendshme, si dhe pamundësisë për të zgjedhur kandidatë me vlera të dëshmuara”, tha Kolloni.
Duke folur për aktivitetin e ardhshëm politik dhe strategjinë që do të përdorët në takim me elektoratin, kryetari i degës, Vahidin Halili, është shprehur se partia e tij do të zbatojë me përpikëri qëndrimet e marra nga organet më të larta vendimmarrëse të partisë, duke u përqendruar në ato ndryshime që mund t’u sjellin qytetarëve jetë më të begatshme dhe dinjitet. “Për një qeverisje më të mirë, qytetarët duhet te kenë besim të plotë në partinë tonë, sepse ne kemi program më të begatshëm për zhvillimin ekonomik të vendit dhe program specifik për zhvillimin e komunës sonë”, tha Halili.
Në kohën kur ka përfunduar faza e parë e aktiviteteve parazgjedhore, në Sharr kanë filluar me të madhe vlerësimet për krerët e subjekteve politike. Sipas atyre që do të garojnë në zgjedhjet e 17 nëntorit, kjo datë do të sjellë ndryshime rrënjësore në këtë komunë të skajshme të Kosovës, e cila ende mbetet ndër më të varfrat dhe e izoluar ndaj shteteve fqinje, edhe pse kufizohet me to. /b. beqaj