Mungon opozita, dështon seanca!


Sharr, 24 tetor 2007 - Ka dështuar të martën mbajtja e seancës së jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal të Sharrit, ku duhej të miratohej vendimi për një parcelë në qendër të Sharrit, e cila që nga mbarimi i luftës ka mbetur me ndërtesa të rrënuara. Kjo pikë e rendit të ditës kishte mbetur nga seanca e fundit, kur opozita kishte refuzuar të debatojë rreth kësaj çështjeje, kurse të martën opozitarët nuk u paraqitën fare në mbledhje.
Mitat Fejza, shef i grupit parlamentar të PDK-së, tha se nuk kanë ndërmend të marrin pjesë në një veprim, i cili paraprakisht është ndaluar edhe nga qeveria qendrore. "Kjo pikë është refuzuar edhe në seancën e kaluar, por për arsye të cilat vetëm pushtetarët aktualë i dinë, është futur sërish në rend dite të seancës së jashtëzakonshme. Nuk dëshirojmë të bëhemi pjesëmarrës të një vendimi, i cili bie ndesh me sugjerimet e institucioneve qendrore të vendit", tha Fejza.
Sipas Fejzës, nxitimi për ta marrë një vendim të tillë, me gjasë ka të bëjë me interesa të ngushta të pushtetarëve, për ta shfrytëzuar edhe këtë pak kohë që janë në pushtet. "Është një shkresë që i ka arritur KK-së nga zv.kryeministri Lutfi Haziri, e cila rekomandon që mos të merret asnjë vendim rreth buxhetit, investimeve kapitale dhe rreth patundshmërisë. Nëse e nxjerrim një vendim të tillë, ne bëjmë shkelje drastike. Me këtë vendim, pushtetarëve aktualë u jepet mundësi që ta tjetërsojnë atë pasuri, dhe pastaj do të mund të manipulonin me të. Përkundër shkresës së ministrisë së tyre, ata dëshirojnë të marrin leje që të bëjnë ndonjë biznes, me gjasë për ndërtimin e ndonjë pallati afaristo- banesor", tha Fejza.
Pas këtij dështimi, kryetari i KK-së, Halim Shemsidini, sërish ka paraparë të thërrasë seancën të enjten, deri kur pritet se do të bëhen konsultime dhe sqarime shtesë. /b. beqaj