Sharr, 19 tetor 2007 - Dega e AAK-së në Sharr, me modesti do të konkurroj në zgjedhjet e nëntorit, duke mos i ekzagjeruar listat përtej mundësive reale që ka kjo parti. Mahmut Mahmuti, kryetar i këtij subjekti politik në Sharr tha se lista e kandidatëve të mundshëm për Kuvendin Komunal nuk është zgjeruar, sepse janë të vetëdijshëm se nuk mund ta fitojnë pushtetin, por do të mundohen të bëhen pjesë e tij “Lista jonë përmban 14 emra, të cilët i kemi përzgjedhur me kujdes, ndërkaq në garën për Kuvendin e Kosovës do të garoj Blerim Piraj, profesori që në këtë trevë gëzon autoritet.
Në fund, Mahmuti ka pohuar se emrat që figurojnë në listat kandiduese, si dhe programet konkrete afatgjate të këtij subjekti politik, janë garanci e fortë për ndryshimin e pamjes së kësaj komune të varfër. “Është mëkat i madh që të gjitha këto resurse që i ka treva jonë, të mbeten edhe më tej të pashfrytëzuara”.
AAK në Sharr nuk do të konkurroj për postin e kryetarit të Komunës, por shpreson që pas zgjedhjeve do të jenë më të fortë se deri më tani. /b. beqaj