Dardanët prezantuan prioritetet për zhvillimin ekonomik të Sharrit


Sharr, 09 tetor 2007 - Kryesia e Lidhjes Demokratike të Dardanisë në Sharr, e ka përmbyllur planin strategjik për zgjedhjet e nëntorit. Në takimin e mbajtur të dielën, ku ishin të pranishëm edhe anëtarë të Kryesisë Qendrore, u shpalos strategjia me të cilën kjo parti do të konkurroj për ta fituar besimin e qytetarëve për ta drejtuar komunën. Nënkryetari i Degës së LDD-së në Sharr, Qamil Kolloni, tha se partia e tyre ka hartuar një strategji, e cila është e mirë dhe e realizueshme. "Nuk kemi ndërmend që elektoratin ta gënjejmë me premtime që nuk kanë gjasa të realizohen te ne, vetëm për ta joshur elektoratin që të na japë votën. Premtimet tona do të bazohen në strategjinë konkrete, ku përfshihet plani zhvillimor komunal dhe shfrytëzimi i resurseve që ka treva jonë", tha Kolloni.
Me qëllim të hartimit të programit për zhvillimin ekonomik të komunës, në takimin me krerët e LDD-së së Sharrit kanë marrë pjesë edhe ekspertë nga komisioni ekonomik i kësaj partie. Mustafë Pllana, Naser Rugova, Haki Gajraku dhe Sefer Rexhaj kanë diskutuar për prioritetet e kësaj komune. "Oferta programore që kemi hartuar ne është më e mira nga të gjitha ofertat e partive të tjera. Ne jemi përqendruar në sektorin shoqëror dhe privat, me të cilët kemi planifikuar të kemi partneritet. Vetëm partneriteti i shëndoshë me biznesin mund ta çojë përpara zhvillimin e komunës sonë, e cila ende mbetet më e varfra në vend", tha nënkryetari Kolloni.
Përcaktimi i zonave industriale, bujqësore dhe blegtorale, si dhe mbrojtja e tokës pjellore dhe kullotave, janë prioritetet e LDD-së për zhvillimin ekonomik të Sharrit. /b. beqaj