Sharr, 11 tetor 2007 - Ndonëse të gjitha të dhënat kanë treguar se komuna e Sharrit është ndër më të varfrat në vend, ku banorët e saj mbijetojnë falë kurbetçinjve, nga buxheti i KK-së është “ndihmuar” Ministria e Transportit... që të asfaltohen dy rrugë rajonale që përshkojnë rajonin e Gorës, Sharr – Brod dhe Sharr - Restelicë. Kjo ministri ka ndarë një milion euro për këto dy rrugë, por që nuk kanë mjaftuar që të bëhet asfaltimi i plotë i tyre.
Usmen Ballxhi, drejtor komunal për Ekonomi, thotë se komuna vërtetë i ka ndarë njëqind mijë euro për këto rrugë, por që ato janë para të komunitetit nga Gora “Ato para janë nga pjesa e buxhetit komunal që i dedikohet komunitetit tonë, prandaj asgjë të keqe nuk ka që po investojmë në rajonin tonë”, tha Ballxhi, i cili e përkrah asfaltimin e rrugës për në fshatin e tij, Brod.
Rruga tjetër, me gjatësi rreth 25 kilometra, e cila përshkon fshatin e ministrit të Shëndetësisë, Sadik Idrizi, për të përfunduar në fshatin e nënkryetarit komunal, Sabedin Çufta, Restelicë, tashmë është meremetuar dhe një pjesë e saj edhe asfaltuar. Por, për ta përfunduar asfaltimin deri në Sharr, ministri Idrizi ka arritur të siguroj shumën prej rreth 80 mijë eurosh, sipas Ballxhit, ndërsa KK-ja do t’i shtoj edhe njëqind mijë të tjera. Ndarjen e mjeteve nga buxheti komunal e ka kundërshtuar opozita, ku sipas tyre, tatimpaguesit e kësaj komune janë shkelur, sidomos ata nga Opoja. Vahidin Halili, kryetar i degës së LDD-së, i cili është edhe kandidat për kryetar komune nga kjo parti, thotë se popullata ballafaqohet me dy të këqija “Komuna e Sharrit është më e varfra në Kosovë dhe, kur kësaj i shtohet edhe paaftësia e pushtetit lokal për të planifikuar dhe menaxhuar paratë e qytetarëve, atëherë ndodh që i ligu po e ndihmon të fortin. Paratë që nuk ishte në gjendje t’i shfrytëzoj qeveria komunale, janë para të grumbulluara nga tatimi në pronë dhe participimi, para të cilat janë ditur një vit përpara. Kur qeveritarët nuk kanë ditur t’i shfrytëzojnë këto para, atëherë ajo duhet të kërkoj falje nga popullata dhe të largohet nga pushteti”, konstaton Halili.
Edhe Ismet Lecaj, kryetar i degës së AKR-së, i cili gjithashtu kandidon për kryetar të komunës në zgjedhjet e nëntorit, thotë se investimi i parave të popullit në rrugët që janë përgjegjësi e Ministrisë së Transportit, është absurd. “Kjo dëshmon se kemi të bëjmë me njerëz që nuk e dinë se çka është përgjegjësia e tyre dhe obligimi që kanë ndaj qytetarit. Ndihma që i jepet Ministrisë së Transportit nga buxheti komunal, në vend se të ndodhë e kundërta, nënkupton se kemi të bëjmë me një qeveri plotësisht të paaftë për të menaxhuar me paratë e tatimpaguesve”, tha Lecaj, i cili shprehet i bindur se kësaj radhe elektorati do të dijë ta vlerësoj punën e secilit, para se të vendosë për votën që do ta japë. /b. beqaj