“Mabetex” punëson edhe sharrjanët


Sharr, 24 shtator 2007 - Kompania “Mabetex” e ka dërguar grupin e parë prej gjashtë punëtorësh nga Sharri, për punë në Kazakistan. Sipas Mujdin Jusufit, sekretar i degës së Aleancës Kosova e Re (AKR) në Sharr, deri në dhjetor të këtij viti, parashihet që të udhëtojnë edhe punëkërkues të tjerë, nga 40 sa janë paraqitur në konkurs për këtë projekt megaloman. “Grupi i dytë do të nisët shumë shpejtë për në Libi, ku edhe atje kjo kompani ka një punishte të madhe. Punëtorët që kanë mbërritur tashmë në Kazakistan, na kanë telefonuar dhe janë lavdëruar për kushtet e punës dhe të banimit”, tha Jusufi, i cili e arsyeton angazhimin e partisë në punët e kompanisë së Bexhet Pacollit, liderit të AKR-së. “Ne si parti nuk do të angazhoheshim në punët e kompanisë, por mungesa e një përfaqësie të saj në komunën tonë, ka bërë që të interesuarit për konkursin e shpallur kohë më parë, të paraqiten në zyrat tona”, pohon Jusufi.
Ndryshe, sipas Jusufit, dega e AKR-së në Sharr i ka përfunduar me sukses të gjitha përgatitjet për zgjedhjet e nëntorit, ku do të konkurroj në të gjitha nivelet zgjedhore. “Presim sukses në këto zgjedhje, sepse jemi angazhuar që mos t’i lejojmë asnjë hapësirë mangësive dhe manipulimeve. Kemi besim të plotë në personat që i kemi përzgjedhur për të gjitha postet”. /b. beqaj