Sharr, 09 shtator 2007 - Deri në vitin 2010, pos rrethojës së varrezave, edhe pse ende nuk është definuar saktësisht lokacioni, asnjë investim tjetër nuk është paraparë në listën e investimeve kapitale të komunës për qytezën e Sharrit. Banorët e kësaj qyteze të skajshme dhe të izoluar, ballafaqohen me probleme të natyrave të ndryshme.
Sharri ka vetëm një rrugë të vetme që e përshkon për së gjati dhe për së gjeri, e cila gjatë natës më shumë është pa drita se me to, edhe pse është bërë një investim i vogël në elektrifikimin e saj. Qytetarët shfrytëzojnë ujin e pijes mjaftë të ndotur, edhe pse ndërmarrja përkatëse, mundohet ta filtroj me pajisje që ka trashëguar nga ish-sistemet. Për rrugët anësore, askush nuk përkujdeset, sepse qyteza ende nuk ka një plan urbanistik, ku edhe e ngufasin ndërtimet pa leje. Sharri ka zgjidhur vetëm pjesërisht problemin e ujërave të zeza, ndërkohë që ballafaqohet ende me rrënoja dhe moçale anembanë rrugëve anësore, të cilave u mungon infrastruktura, sikurse që mungon edhe infrastruktura sportive dhe ajo rekreative.
Mehmet Spahiu, i cili konsiderohet si kryeplak i qytezës, tha se Sharri është harruar fare nga komuna dhe se investimet po orientohen vetëm nëpër fshatra. “Ndonëse këto fakte janë të njohura dhe të prekshme për çdonjërin që jeton dhe punon në këtë qendër komunale, për çudi, edhe në takimin e fundit publik me qytetarët, zyrtarët komunal, duke shpalosur listën e dhjetëra investimeve që priten të realizohen deri në vitin 2010, si dhe agjendën zhvillimore, ku pritet të investohet për periudhën e ardhshme dy vjeçare, qytezën e Sharrit e kanë përmendur vetëm me një rast, edhe këtë me një shumë simbolike për rregullimin e rrethojës së varrezave, edhe pse shumë pak qytetarë të Sharrit kanë dëgjuar se ku gjendet ky lokacion”, tha Spahiu.
Ndërkaq, qytetarët shprehen se janë të pakënaqur me interesimin që kanë strukturat udhëheqëse komunale për të ndarë mjete nga buxheti vetjak, apo për të thithur investime nga donatorë të ndryshëm apo edhe nga Qeveria qendrore për këtë qytezë. “Nuk është se nuk ka pasur mjete, sepse jam shumë mirë i informuar nga mediat dhe nga vetë udhëheqësit, se investimet që janë bërë deri më tani në këtë komunë e tejkalojnë shifrën mbi 20 milionë. Por, e keqja qëndron në atë se është anashkaluar qendra komunale, ngase investimet kanë shkuar më tepër andej nga është fuqia e votuesve”, thotë qytetari Refki Kolloni.
Megjithatë, fakti që në qytezë janë bërë disa investime, si në shkollën e mesme, Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, Qendrën Sociale etj., për të cilat buxhet kanë derdhur shoqatat e huaja humanitare, për disa qytetarë shihen si progres i madh i pushtetarëve. Qytetari, Urim Krasniqi, thotë se pushteti ka punuar shumë, në krahasim me meritat që ka popullata e këtushme. “Bazuar në faktin se qytetarët shumë pak i përgjigjen obligimeve tatimore, pushteti ka investuar më shumë se kaq”, tha Krasniqi, i cili nuk diti të përmend ndonjë investim konkret në qytezë.
Një banor tjetër, pa dashur t’i përmendej emri në gazetë, u shpreh se në qytezë investimet nga buxheti komunal dhe ai qendror, kanë qenë shumë të pakta. “Unë jam i bindur se shumica e zyrtarëve lokalë që hartojnë prioritetet e investimeve kapitale, po të kishin pasur vullnet dhe dëshirë, do të kishin bërë shumë më tepër. Por, si duket, ata janë të preokupuar me lokalitetet e veta. Urdhëroni e vizitoni disa fshatra të Opojës dhe Gorës, nga vijnë zyrtarët komunalë me ndikim në pushtet, lëre që i kanë shtruar me pllaka betoni rrugët kryesore dhe ato anësore, kanë rregulluar ujësjellësit dhe kanalizimet, por ata kërkojnë që komuna t’u paguajë edhe harxhimet e ndriçimit publik”, u shpreh i revoltuar ky qytetar.Kryetari i qytezës së Sharrit, Mehmet Spahiu, thotë se ata që jetojnë në qytezë këto tetë vitet e pasluftës, lirisht mund të konstatojnë se asgjë për t’u theksuar nuk është bërë në këtë vendbanim të vetëm në komunë, ku bashkërisht jetojnë shqiptarët dhe gorano-boshnjakët. “Premtimi për hartimin e planit urbanistik të qytezës, nuk figuron as edhe në letër. Këtu lejohet të punohet, kujt si t’i teket. Për shumicën e qytetarëve nga të dy komunitetet, refreni shumë herë i përsëritur i zyrtarëve lokalë se ‘kemi një buxhet shumë të vogël të komunës, ndërsa kërkesat janë të mëdha, dhe se përkundër dëshirës dhe angazhimit, nuk kemi mundur të bëjmë më tepër’, jo vetëm që është bërë bajat, porse ky refren ka kaluar edhe në neveri”, përfundon Spahiu. /b. beqaj