“Kuk Commerce” i paraprinë Kosovës në tregun ndërkombëtarë


Sharr, 04 shtator 2007 - Ndërmarrja private nga Sharri "Kuk Commerce" muajin që lamë pas u bë përfaqësuese e ndërmarrjes gjermane “Bocker” në shtetet e rajonit, përkatësisht në shtetet që janë të përfshira në marrëveshjen e CEFTA-s. Njëkohësisht, kjo ndërmarrje është certifikuar edhe me certifikatën ISO 9001-2000, e cila i mundëson shitjen e prodhimeve metalike edhe në vendet më të zhvilluara të botës.
Naser Arifi, drejtor i kësaj ndërmarrje, ndër më progresivet në vend, thotë se me këtë memorandum atyre u hapen “dyert e hekurta” për depërtimin e veprimtarisë edhe jashtë vendit “Do të fillojmë me prodhimin e disa pjesëve për makineri të rëndë, ndërkohë që do t’i gjejmë mundësitë që pas dy vjetësh të fillojmë edhe me prodhimin e makinave të ndryshme për ndërtimtari", tha Arifi.
Bashkëpunimi me një ndërmarrje gjermane, e cila për gjysmë dekade ka arritur të punësoj rreth 4 mijë punëtorë dhe që është shtrirë edhe në shtetet tjera të zhvilluara, jep shpresë se Kosova do t’i shpërthej barrikadat e ndryshme për shkak të statusit të pazgjidhur. Besim Beqaj, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) këtë depërtim të ndërmarrjes nga Sharri e ka quajtur si fillim të thyerjes së akullit që po e ngulfat ekonominë kosovare “Është kjo hera e parë që një ndërmarrje nga Kosova merr të drejtën e përfaqësimit, shitjes dhe servisimit të produkteve të një firme gjermane", tha Beqaj.
Njëri nga tre vëllezërit aksionarë të ndërmarrjes “Kuk-Commerce”, Rexhep Arifi, tha se ndihet krenar që kanë arritur ta sjellin në Kosovë firmën e Robert Bockerit, i cili ka shënuar revolucion ekonomik në vendin e tij “Para gjysmë dekade, familja Bocker kishte filluar me ndërtimin e shkallëve metalike, të cilat shumë shpejtë u bënë më të kërkuarat në Gjermani, sepse Bockerët kishin ditur t’i konstruktojnë për mrekulli. Sot, ata janë prodhuesit më të njohur të vinçave, të cilët ngiten deri në katin e tetëdhjetë”, shpjegon Arifi, familja e të cilit gjithashtu kishte nisur biznesin me prodhimin e rrethojave dhe dyerve metalike.
Vetë Robert Bocker, i cili ka vizituar motelin e kësaj ndërmarrje në Brod të Gorës së Sharrit, ka deklaruar se i është dashur shumë kohë të gjej partner në Kosovë, sepse i ka interesuar tregu këtu “Deri te ky bashkëpunim ka ardhur, pasi tek kjo firmë kemi vërejtur përkushtim të madh dhe seriozitet në punë. Fillimisht kemi bërë studime, nëse kjo ndërmarrje mund të merret me prodhimet që ne i ofrojmë. Pasi jemi siguruar se nuk do të kemi asnjë problem, ne lidhëm kontratën", tha Bocker.
Edhe Rexhep Arifi pohon se deri në këtë sukses është dashur punë natë e ditë “Para tre muajve kemi kontaktuar me këtë firmë, ku kemi arritur pajtimin për bashkëpunim, sepse ata ishin të interesuar që të gjejnë partneritet me ndonjë fabrikë për përpunimin e metaleve në Kosovë. Kjo, sepse ‘Bocker’ është prodhuesi më i madh i pajimeve për ndërtim, pjesën më të madhe të të cilave i eksporton”, thotë Arifi, duke u shprehur mirënjohës ndaj OEK-ut dhe GTZ-së gjermane, të cilat u kanë ndihmuar moralisht që të arrihet ky memorandum bashkëpunimi. Por, Arifi nuk shprehet mirënjohës edhe për institucionet e pushtetit, për të cilat thotë se janë shumë pasive. Ai madje kritikon pushtetin lokal të Sharrit, i cili, sipas tij, jo që nuk u ndihmon atyre, por mundohet edhe t’i pengoj kudo që kanë mundësi “Ministria e Tregtisë dhe Industrisë fare nuk ka qenë në rrjedhë për këtë tentim që bënim ne, por se në ditën e nënshkrimit të memorandumit premtoi se do të na përkrah, ndërsa pushtetarët lokal në Sharr, nuk investojnë andej kah po lulëzon biznesi, por investimet i orientojnë nëpër fshatrat e tyre”, tha Arifi.
Vetë ministri, Bujar Dugolli, në ceremoninë e nënshkrimit të memorandumit, tha se do ta përkrah përherë bashkëpunimin ndërmjet bizneseve vendore me ato ndërkombëtare "Kjo marrëveshje nënkupton se Kosova po përgatitet për tregun ndërkombëtar", ka pohuar Dugolli, pa dhënë ndonjë sinjal të qartë se çfarë do të bëj ministria e tij për t’ua lehtësuar veprimtarinë bizneseve vendore, të cilat ballafaqohen me një sërë vështirësish, sidomos ndërmarrjet prodhuese. /b. beqaj