Varroset kufoma e gjetur dy vjet më parë!


Zgatar, 11 gusht 2007 - Mbetjet mortore të Xhelal Beshirit (1944), janë varrosur të premten në fshatin e tij, Zgatar, në Opojë të Sharrit, pas dy vjetësh që kur ai u gjet në një shpellë të këtij fshati, e cila ende paraqet rrezik për kalimtarët e rastit.
Policia kishte deklaruar atëkohë se kufomën, në fazën e shkatërrimit, e kanë gjetur një grup bjeshkatarësh dhe se ajo nuk mund të ishte më e vjetër se dy vjet. Ndërkaq, Zyra për Informim e KFOR-it në Prizren, kishte konfirmuar se kufoma ishte e gjinisë mashkullore.
Të gjitha të dhënat qonin në dyshimin se po ky person i zhdukur, duhet të ishte gjetur në thellësinë e shpellës, por mjekëve u janë dashur dy vjet që ta vërtetojnë këtë.
Hetimet në lidhje me këtë rast i ka filluar SHPK-ja, por më pas i kanë vazhduar hetuesit e krimeve të luftës në Prishtinë.Në mes të fshatit Brrut dhe Zgatar, në trevën e Opojës së Sharrit, me shekuj ekziston një shpellë vertikale, për të cilën ekzistojnë edhe mite të ndryshme.
Por, deri më sot, ajo edhe pse ka gëlltitur jeta njerëzish, askush nuk e ka parë të arsyeshme ta bëj rrethimin e saj dhe të vendosë tabela paralajmëruese, se aty shumë lehtë mund të takosh vdekjen.
Drejtori i Drejtorisë komunale të Sharrit për Siguri Civile dhe Gatishmëri Emergjente, Zeni Krasniqi, pat deklaruar dy vjet më parë se do ta bëjnë rrethimin e kësaj shpelle. “Po bëjmë përpjekje që ta rrethojmë këtë shpellë, në mënyrë që të evitohet rreziku për qytetarët. Gjetja e një kufome në këtë shpellë, na obligon që të punojmë edhe më tepër në këtë drejtim”, pat deklaruar Krasniqi. Por, edhe pas dy vjetësh, asgjë nuk është bërë në këtë drejtim. /b. beqaj