Goranët ia thyejnë dhëmbin policit


Kukajan, 15 gusht 2007 - Policia shkon për t'i dhënë fund një rrahjeje masive ndërmjet dasmorëve dhe mysafirëve të paftuar, por sulmohet dhe njërit prej tyre i thyhet dhëmbi. Ngjarja ka ndodhur rreth mesnatës, midis të shtunës dhe të dielës, në fshatin Kukajan të Gorës së Sharrit. Në rrahjen masive ishin përfshirë disa të rinj nga ky fshat dhe të rinj mysafirë nga fshati Plavë e Opojës.
Pas thellimit të zënkës, në vendin e ngjarjes ka mbërritur policia, me ç'rast njëri nga ta është sulmuar fizikisht, ku edhe e humb një dhëmb. Policia Rajonale në Prizren e ka konfirmuar ngjarjen, duke njoftuar se disa të rinj janë arrestuar. "Pasi është njoftuar policia se në një dasmë në fshatin Kukajan kishte filluar zënka midis të rinjve nga ky fshat dhe disa të tjerëve që kishin ardhur nga fshati Plavë, kemi arritur në vendngjarje. Gjatë përpjekjeve për qetësimin e situatës, një polic është grushtuar nga njëri prej të pranishmëve, ku ka marrë lëndime serioze në fytyrë dhe ka humbur një dhëmb. Pasi i dyshimti ishte njëri nga dasmorët, policia me mjaft vështirësi ka arritur ta arrestojë atë, ngase turma e njerëzve të revoltuar kishte bllokuar rrugën", njoftoi policia përmes një kumtese. Ndërkaq, policia ka arrestuar edhe një tjetër person, i cili ishte i përfshirë në rrahje. Këta të arrestuar ende po mbahen në paraburgim.
Mësohet se të rinjtë nga fshati Plavë nuk kanë qenë të ftuar në këtë ceremoni familjare, por muzika i kishte joshur që të marrin pjesë aty. Sipas burimeve tona, të rinjtë nga Opoja rregullisht përcjellin pjesën e dasmave gorane, e cila njihet si "Mashalla" dhe zhvillohet në mesnatë. Gjatë këtij rituali, shumë të rinj dhe të reja vallëzojnë deri në orët e hershme të mëngjesit. /b. beqaj