Në Sharr nuk dinë se çfarë programi ofron rrjeti tokësor i RTK-së


Sharr, 09 gusht 2007 - Parapagimi i RTK-së, ndërkohë që ky televizion nuk e mbulon me sinjal komunën e Sharrit, nga banorët e kësaj ane cilësohet si plaçkitje e lejuar edhe nga shteti. Ata i janë gëzuar ndërprerjes së kontratës që ka paralajmëruar ta bëj KEK-u me këtë televizion, për vjeljen e taksës përmes faturave të rrymës.
Nga ana tjetër, ka disa muaj që një firmë private e ka instaluar rrjetin kabllor televiziv në Sharr, me një pagesë prej pesë eurosh në muaj e të cilin e kanë instaluar nëpër familje një numër i madh i tyre.
Profesori i gjuhës në shkollën e mesme “Ruzhdi Berisha” në Sharr, Selim Kryeziu, i tha gazetës se, edhe po ta mbulonte RTK-ja me sinjal këtë trevë, nuk e meriton të paguhet si televizion nacional. “Ka shumë arsye që RTK-ja nuk e meriton të jetë televizion nacional. Ky televizion, i cili rrjep popullatën me nga 3.5 euro në muaj për çdo njehsor, nuk ofron asgjë kualitative. Në të mungojnë programet edukativo-arsimore... Mungon profesionalizmi për të qenë TV nacionale. Së fundi, me këtë shumë të parapagimit, RTK-ja duhet të ketë, së paku tri kanale televizive”, tha Kryeziu, i cili RTK-në e përcjell përmes sistemit kabllor.
Afaristi goran, Ramadan Tonga, thotë se familja e tij ka tre njehsorë elektrik, për të cilët paguan 10.5 euro në muaj. ”Kjo nuk është e drejtë, sepse unë paguaj rrjetin kabllor pesë euro në muaj dhe aty kam dyzet kanale televizive, përfshirë edhe RTK-në. Fundja, sikur të kishte sinjal, disi do ta arsyetoja këtë pagesë”, thotë Tonga.
Afaristi tjetër, Dalip Çengaj, habitet që paguan dy herë nga 3.5 euro, ndërkohë që RTK-në e përcjell vetëm në programin satelitor. “Absurd është të paguaj dy herë këtë haraç, vetëm pse kam dy njehsorë elektrik. Në familje kam rrjetin kabllor, ku aty kam shumë televizione dhe fare nuk e di se çfarë ofron RTK-ja në rrjetin tokësor. Ndërkohë, RTK-në e paguaj edhe për shkak se kam njehsor elektrik në zdrukthëtari ”, tha Çengaj.
Në një debat të mëhershëm, opozita e ka fajësuar edhe pushtetin lokal, i cili, sipas tyre, nuk po bën trysni mbi këtë televizion. Qamil Kolloni, nënkryetar i LDD-së në Sharr pat deklaruar më herët se barrën kryesore e mban pushteti lokal, i cili, sipas tij, me pasivitet e lejon RTK-në që ta plaçkit popullin e kësaj ane. “E kuptojmë se reliefi i kësaj komune është i vështirë për t’u mbuluar me sinjal, por pushteti lokal duhet te bëj më shumë trysni tek organet përkatëse”, ka thënë Kolloni.
Edhe sekretari i PDK-së në Sharr, Avni Nebiu, ka deklaruar se KK-ja me qëllime të caktuara e hesht këtë padrejtësi ndaj qytetarëve. “Pushtetarët e heshtin këtë çështje, sepse i kanë qëllimet e veta. Atyre u konvenon që popullata të jetë e painformuar”, ka thënë Nebiu.
Nga burimet jozyrtare të Njësisë së KEK-ut në Sharr, mësohet se shuma e paguar nga qytetarët e kësaj komune të varfër për RTK-në, deri më tani ka arritur mbi një milion euro. /b. beqaj