Synetomania e KFOR-it turk


Sharr, 23 gusht 2007 - Pjesëtarët e ushtrisë turke të KFOR-it, tash e disa vjet po i ndihmojnë familjet e komunës së Sharrit në synetllëkun e vogëlushëve të tyre.
Të shtunën ata i stacionuan mjekët ambulantë nga baza e tyre në Prizren, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Sharr, për t’i bërë synet rreth dyzet vogëlushë opojanë dhe goranë.
Oficeri, Akgou, tha se në regjistër ka evidentuar 35 vogëlushë për synetllëkun e këtij viti, por që lista gjithnjë e më tepër po shtohet “Me kërkesën e prindërve, ne kemi regjistruar deri më tani 35 vogëlushë, por që interesimi po vjen gjithnjë duke u shtuar. Nuk do ta refuzojmë askënd, përderisa koha do të na mjaftojë”, tha Akgou.
Mujadin Gashi, babai i njërit nga fëmijët që ishte i shtruar në tavolinën e operacionit, tha se kjo formë e synetllëkut është shumë më e sigurt se ajo që bëhej dikur me berberë “Është ky një aksion i mirë humanitar që po bëjnë ushtarët turq, sepse në duart e tyre ky rit është më i sigurt. Ata kanë traditë të lashtë në këtë punë dhe janë mjekët specialistë që po intervenojnë. Ne na mbetët vetëm t’i falënderojmë për këtë lehtësim që po na mundësojnë, sepse në këto anë për synetllëk shpenzohen shumë para, sikur në dasmë”, tha Gashi, i cili në familjen e tij kishte përgatitur një ceremoni modeste.
Forcat turke të KFOR-it kanë ndihmuar popullatën e këtushme edhe në përmirësimin e infrastrukturës së shkatërruar rrugore, si dhe kanë dhënë ndihma të konsiderueshme në forma të ndryshme. Kjo ka bërë që baza e ushtrisë turke në Sharr të mos i ngjasoj një baze ushtarake, por të ketë pamje të një institucioni të rendomë, falë qetësisë që po mbretëron në këtë komunë të banuar nga dy komunitetet, shqiptare dhe boshnjake, dhe miqësisë së krijuar midis popullatës dhe ushtarakëve. /b. beqaj