Në Opojë zhduket një shtetas i Shqipërisë


Kuklibeg, 24 gusht 2007 - Një banor nga fshati Kuklibeg i Opojës së Sharrit ka njoftuar policinë se i ka humbur gjyshi i tij, i cili ndodhej mysafir tek ai. Në një komunikatë për media, policia e ka konfirmuar ngjarjen, duke dhënë edhe informacione që do të ndihmonin në gjetjen e tij “Personi i humbur për herë të fundit është parë në fshatin Kuklibeg, më 21 gusht rreth orës 10:00. Ai i kishte deklaruar nipit të tij se po nisej për në shtëpi. Deri në ketë çast ai nuk ka mbërritur në vendbanimin e tij”, thuhet në komunikatë.
Personi i paraqitur si i humbur është shtetas i Shqipërisë. Ai quhet Sefudin Tërqilla, është nga fshati Novosejë, komuna e Shishtavecit, rrethi i Kukësit. Ai është i moshuar dhe me të meta psikike, i gjatë rreth 160 centimetra, i dobët me shëndet dhe ka flokë të zinj e të shkurtër. Burime nga Shishtaveci i Shqipërisë bëjnë me dije se plaku ende nuk është gjetur dhe se kërkimet po i bëjnë edhe familjarët e tij. /b. beqaj