Gjendje e qetë në kufirin Kosovë-Shqipëri


Sharr, 21 gusht 2007 - Me një shtrëngim miqësor duarsh, në vijën e gjelbër të brezit kufitar Kosovë-Shqipëri, pas tre muajsh, që kur filloi aksioni i quajtur “Patrulla e sinkronizuar kufitare”, takohen sërish krerët e dy policive, andej e këndej kufirit. Bashkë me policinë kosovare gjendeshin edhe policia e UNMIK-ut dhe pjesëtarët e KFOR-it, të cilat e përbëjnë bashkërisht forcën kosovare të sigurisë.
Majori i ushtrisë turke, Vedat Yumsak, i cili ka pozitën e shefit për informim në Brigadën Shumëkombëshe të KFOR-t për sektorin e jugut, me të arritur në vijën kufitare, shpalos agjendën e aksionit të së enjtes që kishin organizuar forcat e rendit nga Kosova dhe Shqipëria.
Bashkërisht fillon patrulla e brezit kufitar për disa kilometra, derisa arrihet në trekëndëshin kufitar Kosovë-Shqipëri-Maqedoni. Nga një lartësi mbidetare mbi dy mijë metra, nga njëra anë shihej Restelica e Gorës së Sharrit, ndërkohë që nga ana e Shqipërisë duken disa fshatra të vegjël, ku qartë shihej varfëria që ngërthenin në vete banorët e kësaj ane. “Jemi krenarë që takohemi bashkë me kolegët tanë nga Shqipëria, me të cilët kemi bashkëpunim të mirë në kryerjen e detyrave që parasheh ky aksion”, tha majori turk, Yumsak, derisa i shtrëngonte dorën shefit të komisariatit të policisë kufitare nga Kukësi, Muharrem Furrikut. Ky i fundit u raportoi kolegëve nga ana kosovare se gjatë këtyre muajve, sa po vazhdon ky aksion, asnjë incident nuk ka ndodhur në këtë kufi. “Mund të mburremi me rezultatet e këtij aksioni, të cilat janë të shkëlqyeshme. Ndonëse ka kalime ilegale, megjithatë, që të gjitha janë për arsye sociale dhe jo për ndonjë kontrabandim apo kriminalitet. Ju e shihni se të gjithë e punojnë tokën me kafshë, prandaj që të gjithë e zgjedhin relacionin më të shkurtë drejtë tokave të tyre”, u tha kolegëve Furriku, i cili shpalosi një pjesë të historisë së vonë, ku sipas tij, rrallë popull do t’i rezistonte “Vetëm gjatë periudhës tetëvjeçare (1990-1998), ushtria kufitare serbe ka vrarë mbi dyzet shtetas tanë, vetëm pse iu afronin kufirit. E sot, ne flasim për kalim ilegal të ndonjë kali apo lope”, tha Furriku, i cili këtë ndryshim e quan sukses për popujt nga dy anët e kufirit.
Pothuajse çdo bujk i Shqipërisë afrohej pranë forcave të rendit dhe iu raportonte për gjendjen në këtë zonë kufitare. Njëri prej tyre kishte ngritur një objekt hotelier të improvizuar, ku shërbente mish qengji të pjekur në saç dhe pije të ftohta freskuese, të cilat i ftohte me frigoriferin që e furnizonte me energji përmes një gjeneratori. Pronari i këtij biznesi, Asllan Beqaj, u thoshte policëve se është nga fshati Shishtavec, por që këtu e kalon pjesën më të madhe të kohës. “Më shumë rri këtu se sa në fshat... Kam mjaftë adhurues të natyrës dhe ushqimit të përgatitur me kushte natyrale”, tha Beqaj, duke i ftuar pjesëtarët e forcave të sigurisë që të shërbehen me specialitete e tij.
Pjesëtarët e policisë së UNMIK-ut dhe KFOR-it, vetëm se vëzhgonin me kënaqësi takimin midis dy “policive shqiptare”, me kalimtarët e rastit, ku mësonin për gjendjen në terren.
Pas disa orësh, në një vend renditen krerët nga secila forcë e sigurisë dhe raportojnë për aksionin që kishte përfunduar. Të gjithë njëzëri sjellin raporte të mira se brezi kufitar midis Kosovës (territori i Sharrit) dhe Shqipërisë, është më së i qetë dhe pa ndonjë shkelje që do të qonte peshë. Ata kthehen nëpër bazat e tyre, duke u përshëndetur miqësisht dhe duke kërkuar që secili ta kryej detyrën e tij me kujdes, sepse e keqja një herë ndodhë. /b. beqaj